image Konjufca pas takimit me zyrtarin e BE-së, shprehu mirënjohje për mbështetjen nga BE që nga paslufta

Politikë

Konjufca pas takimit me zyrtarin e BE-së, shprehu mirënjohje për mbështetjen nga BE që nga paslufta

news image

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, Nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe Shefi i kabinetit Ilir Kërçeli, kanë pritur sot në takim një delegacion nga Bashkimi Evropian, kryesuar nga Vassilis Maragos, Shef i Njësisë për Kosovë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Kryetari Konjufca vlerësoi marrëdhëniet e mira midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, teksa shprehu mirënjohje për mbështetjen që BE i ka dhënë legjislativit me fonde dhe projekte të ndryshme zhvillimore që nga paslufta.

Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë ndërtuar tashmë një traditë të mirë bashkëpunimi, si rezultat i të cilit janë shënuar shumë arritje në fushën e  demokracisë sonë parlamentare, theksoi Kryetari Konjufca.

Shefi i Njësisë për Kosovë, Maragos shprehu gatishmërinë e BE-së për vazhdimin e mbështetjes së institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe Kuvendin, në reformat e planifikuara që lidhen me integrimin në BE dhe anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare.

Kryetari i Kuvendit dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian u pajtuan për fuqizimin e mëtejmë të partneritetit dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh në funksion të miratimit të ligjeve sa më cilësore dhe në pajtueshmëri të plotë me standardet e BE-së.

Pjesë e takimit të sotëm ishin edhe përfaqësuesit e lartë të BE-së në Kosovë, Johannes Madsen Stenbaek, Alessandro Bianciardi, Annemarie Douwes dhe Nicola Scaramuzzo. 

/GazetaSinjali/