Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalën e tij në seancën e sotme ku në rend dite është themelimi i Komisionit Hetimor për Energjinë, ka thënë se vazhdimi i punës është bllokuar për dy arsye.
Konjufca tha se njëri gabim është i mazhorancës, që ka të bëjë me diktimin e interpretimit të çështjes për të cilën parashtrohet hetimi, ndërsa për të parin e kuvendit, mospajtimi me opozitën ka të bëjë me çështje ligjore.
Ai tha se ka kërkuar interpretim ligjor nga Zyra Ligjore e Kuvendit të Kosovës në lidhje me atë se kush mund ta udhëheq këtë komision.
“Unë si kryetar i kuvendit, ndoshta mund ta kem një interpretim personal nga zyra ligjore, unë s’mund të dal nga interpretimi i zyrës ligjore dhe interpretimi ligjor thotë se “asnjëri prej të gjithë atyre deputetëve nënshkrues nuk mund ta drejtojë këtë komision”. Dhe meqenëse është kështu, nuk ka mbetur kurrfarë hapësire sa i përket propozuesit, jo sa i përket themelimit sepse themelimi duhet të ndodhë”, është shprehur Konjufca.
“Interpretimi i zyrës ligjore thotë se drejtues i komisionit nuk mund të jetë Driton Selmanaj si rrjedhim dhe asnjëri prej këtyre që e kanë nënshkruar kërkesën dhe i përkasin grupeve parlamentare. Interpretimi ligjor është ky”, ka thënë i pari i Kuvendit.
Konjufca më tej tha se rruga përpara mund të jetë vetëm kur mazhoranca të heq dorë nga, siç e quajti ai, diktimi në formulimin e çështjes dhe opozita ta rishqyrtojë mundësinë e propozimit sa i përket lënies së lirë që ai grup parlamentar që dëshiron ta udhëheq këtë të mos jetë i përfshirë në nënshkrime, të cilat sipas Konjufcës, Zyra Ligjore e Kuvendit po i interpreton si nënshkrime të propozuesit.
Kërkesën për themelimin për Komisionin Hetimor Parlamentar e kanë nënshkruar 40 deputetë të opozitës.