Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është deklaruar sot për dialogun Kosovë – Serbi, si dhe për qasjen e Bashkimit Evropian që e ndërmjetëson këtë proces. Ai tha se BE-ja nuk po e trajton Kosovën si shtet dhe kjo qasje është diskriminuese.
Derisa po fliste për çështjen e Asociacionit, Konjufca tha se Kosova duhet të mbrojë të drejtën e vet deri në fund, të ulet me BE-në dhe të qartësojë se kush e ka kompetencën.
“Është qasje diskriminuese e BE-së që bën dhe e trajton Kosovën si jo shtet. Kosova duhet të mbrojë të drejtën e vet deri në fund e të ulet me BE-në dhe të qartësojë deri në fund kush e ka këtë kompetencë, Kosova apo BE-ja. Unë mendoj se e ka Kosova. A jemi vonuar a s’jemi, ne ashtu kështu jemi nën masat e BE-së. Mjafton kjo që jemi vonuar, por vonesa s’mund t’i marrë kompetencat…”, ka thënë ai.
Konjufca tha se për Serbinë, Marrëveshja e Ohrit lidhet vetëm me Asociacion dhe jo me pikat e tjera të saj.
“Mua nuk në duket qe do të ketë masa shtesë. Por çështja është si t’i heqim ato ekzistuese që i kemi. Tashmë janë shtuar edhe zërat brenda BE-së që masat duhet të hiqen. Masat i kemi tash e një kohë por rezultatet që i shihni…Ne jemi në një situatë kur Serbia e ka hedhur poshtë Marrëveshjen e Ohrit. Për Serbinë Marrëveshja e Ohrit e ka emrin vetëm Asociacion i Komunave dhe ajo nuk do t’i zbatojë pikat e tjera. Prej letrës së Bërnabiqit e deri te sulmi i Banjskës këto ia kanë shpallë vdekjen Marrëveshjes së Ohri. Tash çka është faji i Kosovës?”, ka shtuar tutje Konjufca.