image Kongresistja amerikane i shkruan Blinken: Kurti po rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

Politikë

Kongresistja amerikane i shkruan Blinken: Kurti po rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

news image

Kongresistja amerikane, Claudia Tenney, në një postim në rrjetin social “X” ka bërë të ditur se i ka nisur një letër Sekretarit Amerikan, Antony Blinken, në të cilën është ankuar për veprimet e kryeministrit Albin Kurti. 

Sipas Tenney, e cila është edhe bashkëdrejtuese e “Congressional Serbian Caucus”- grup që avokon për interesat dhe shqetësimet e serbo-amerikanëve dhe Serbisë, Kurti me veprimet e tij po e rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. 

Tenney që njihet edhe si përkrahëse e ish-presidentit Donald Trump, tani kandidat për t’u rikthyer në White House, thotë se përmes letrës së saj ka kërkuar përgjigje nga Sekretari Antony Blinken për veprimet që do të ndërmarrë SHBA që të sigurohen të drejtat e serbëve në Kosovë.

Sipas saj, Kurti duhet të mbahet përgjegjës dhe në letrën e saj, kongresistja amerikane kërkon rritje presioni ndaj kryeministrit të Kosovës dhe marrjen e masave specifike ndëshkuese ndaj kryeministrit Albin Kurti, nëse s’do të ketë ndryshim sjelljeje.

“Edhe një herë, Albin Kurti dhe veprimet e tij po rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht kritikave të ashpra nga Departamenti i Shtetit, Veprimet e Kurtit nuk kanë ndryshuar. I dërgova një letër Sekretarit Blinken duke kërkuar të dihet se çfarë veprimesh do të ndërmarrë SHBA për të siguruar që të drejtat e serbëve etnikë në Kosovë të mbrohen dhe Kurti të mbahet përgjegjës”, shkruan ajo.

/GazetaSinjali/