Një konflikt i vjetër pronësor për një parcelë toke në Kosovë ka përfunduar me një përleshje të dhunshme në Schlieren, afër Zürichut, ku një 59-vjeçar kosovar dhe një 25-vjeçar mbetën të lënduar rëndë.
Sipas gazetës zvicerane “Limmattaler Zeitung”, 59-vjeçari, i cili jeton në rajonin Aarau-Lenzburg dhe merr pension invaliditeti, kishte vendosur ta zgjidhte mosmarrëveshjen duke u përballur drejtpërdrejt me familjen tjetër.
Pasi kishte gjetur adresën e tyre përmes një restoranti lokal, ai kishte shkuar në shtëpinë e familjes dhe fillimisht kishte kërcënuar me jetë një grua. Kjo e fundit kishte thirrur në ndihmë dy djemtë e saj.
Kur njëri prej tyre doli për të sqaruar situatën, 59-vjeçari dyshohet se e zgjidhi qenin nga litari dhe tentoi ta godiste. I riu u mbrojt duke e goditur me grusht në fytyrë, çka e përshkallëzoi edhe më tej konfliktin.
Më pas, burri mori nga bagazhi i veturës një çekan dhe një shufër hekuri. Ai dyshohet se e hodhi çekanin disa herë në drejtim të njërit prej të rinjve, ndërsa tjetrin e goditi me shufër në gjunjë dhe në krahë.
Përleshja vazhdoi me goditje të ndërsjella deri në mbërritjen e policisë zvicerane.
Edhe gjatë arrestimit, 59-vjeçari refuzoi të qetësohej dhe u tregua agresiv ndaj zyrtarëve policorë. Pasi arriti t’u shkëputej nga duart, policia përdori pistoletën me elektroshok për ta neutralizuar.
Si pasojë e përleshjes, 59-vjeçari dhe 25-vjeçari u dërguan në spital me lëndime të rënda.
Prokuroria e Zürichut e ka dënuar 59-vjeçarin me një gjobë me kusht prej 180 ditësh dhe me pagesën e 1 mijë frangave shpenzime gjyqësore, për kërcënim, pjesëmarrje në përleshje dhe rezistencë ndaj policisë.
Edhe 25-vjeçari është dënuar me gjobë me kusht për përfshirje të vetëdijshme në rrahje, ndërsa ndaj vëllait të tij më të ri po zhvillohet një procedurë e veçantë në gjykatën për të mitur.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!