image Konflikti mes çiftit në Fushë Kosovë përfundon në Polici – gruaja pretendon se u sulmua nga partneri

Siguri

Konflikti mes çiftit në Fushë Kosovë përfundon në Polici – gruaja pretendon se u sulmua nga partneri

news image

Një mosmarrëveshje mes një çifti që bashkëjetonte prej rreth gjashtë muajsh ka përfunduar me përfshirjen e Policisë në Fushë Kosovë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se rasti është raportuar në orët e para të mëngjesit të 4 qershorit në lagjen Arbëria.

Sipas deklarimit të gruas, konflikti kishte nisur një ditë më herët, kur ajo i kishte kërkuar partnerit të dilnin së bashku, por ai kishte refuzuar. Pas kësaj, sipas saj, situata kishte eskaluar dhe ajo ishte sulmuar fizikisht, duke u detyruar të largohej nga banesa nga frika.

Nga ana tjetër, i dyshuari E. T ka mohuar ta ketë goditur partneren e tij, duke deklaruar se vetëm e kishte shtyrë dhe se lëndimet që ajo kishte pësuar mund të jenë shkaktuar gjatë largimit nga banesa.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar për dhunë në familje, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje” dhe trajtimin e tij në procedurë të rregullt.

Pas procedurave policore, viktima është përcjellë në Qendrën e Migrimit në Prishtinë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/