Një mosmarrëveshje mes dy fqinjëve në Leposaviq ka eskaluar deri në përfshirjen e Policisë, pasi një burrë ka raportuar se është kanosur nga fqinji i tij në oborrin e shtëpisë, mëson Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve, rasti është raportuar më 4 qershor në Stacionin Policor, ku ankuesi ka deklaruar se një ditë më parë, rreth orës 15:00, derisa ndodhej në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Donji Krnjin, ishte kërcënuar nga fqinji.
Pas pranimit të informacionit, njësitë policore dhe hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar dhe shoqëruar për intervistim të dyshuarin, Goran Radosavljevic.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë hetimeve janë intervistuar edhe tre dëshmitarë, të cilët kanë konfirmuar se kishin dëgjuar fjalët kërcënuese të përdorura ndaj ankuesit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje”, ndërsa pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!