image Vushtrri: Burri rrah e kërcënon gruan se ‘do ta lëshojë’, familja i pajton, e Prokurori e liron

Siguri

Vushtrri: Burri rrah e kërcënon gruan se ‘do ta lëshojë’, familja i pajton, e Prokurori e liron

news image

Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për rastet e ndryshme të dhunës në familje, ku viktimat më të shpeshta janë gratë, të cilat rrahen brutalisht nga bashkëshortët e tyre dhe dhunën që e përjetojnë nuk kanë guxim ta denoncojnë. Madje shumë herë, familjarët tentojnë t’i ‘pajtojnë’ çiftet, duke fshehur rastet nga organet e rendit. E një rast i tillë ka ndodhur edhe në fshatin Dumnicë e Poshtme të Vushtrrisë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur para tri ditësh, por është raportuar tek gjatë ditës së djeshme nga një 40-vjeçare, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj  45-vjeçar S.L.,  për dhunën sistematike të ushtruar ndaj saj.

E shqetësuar për problemet e vazhdueshme në familjen e saj, viktima ka përshkruar në Polici në detaje veprimet e bashkëshortit të saj, i cili përveç dhunës fizike, i ka shkaktuar edhe dhunë psikike.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve policorë, ajo ka rrëfyer se të enjten, pas një mosmarrëveshje me bashkëshortin, për një moment, i njëjti e ka kapur me forcë duke i shkaktuar lëndime dhe e ka futur në veturën e tij, duke i thënë se “po të dërgoj të familja jote, po të lëshoj”.

Përballë kësaj situate, gruaja ka arritur që të shpëtojë nga burri i saj i dhunshëm dhe ka dalë nga vetura, me ç’rast është kthyer në shtëpi, derisa kanë shkuar familjarët e burrit.  

Si në shumë raste të tjera, kur ngjarjet e tilla në familje fshehen, familja e të dyshuarit ka ndërhyrë duke tentuar ta pajtojë çiftin, ‘marrëveshje’ kjo që zgjati shumë shkurt, pasi djali i tyre vazhdoi me avazin e vjetër.

Sipas viktimës, edhe gjatë ditës së djeshme ajo ka përjetuar dhunë psikike nga bashkëshorti për shkak të debateve që kanë pasur mes vete.

Policia është vënë në veprim dhe ka shoqëruar në Polici edhe të dyshuarin, i cili më pas është liruar, pasi Prokurori i Shtetit ka vendosur që të njëjtin ta hetojë në procedurë të rregullt.

/GazetaSinjali/