Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një ngjarje e tillë ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se përpos konfliktit verbal me të birin, ka shtënë edhe me armë zjarri, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 50-vjeçari ka në pronësinë e tij një servis mekaniku, xhamat e të cilit i ka thyer pasi ka shtënë me armë në drejtim të tyre.
E gjithë kjo dyshohet të ketë ndodhur për shkak të nervozes që ka me djalin e tij 25-vjeçar, të cilin e akuzon se nuk po punon mjaftueshëm dhe nuk po e dëgjon.
Njësitë policore kanë gjetur në vendin e ngjarjes një armë zjarri dhe municion. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin.
Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia edhe e viktimës dhe nënës së tij, të cilët janë ankuar se kryefamiljari vazhdimisht ushtron dhunë psikike duke i kërcënuar se do ta vrasë veten ose dikë tjetër.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’ dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje.