Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht më herët për një incident të ndodhur në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku një vizitor dyshohet se ka kanosur një zyrtar të Shërbimit Korrektues të Kosovës gjatë një vizite brenda institucionit.
Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit.
Sipas Policisë, menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku i dyshuari është arrestuar dhe më pas është intervistuar në prani të procedurave ligjore.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar se pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
“Sot rreth orës 9 të mëngjesit Policia është informuar nga Burgu i Dubravës se një person, në cilësinë e vizitorit, pasi ka hyrë në objektin e burgut, e ka kanosur një oficer korrektues. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, është arrestuar personi dhe pas intervistimit është liruar me procedurë të rregullt”, ka deklaruar Rugova.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!