image Konfirmohet aktakuza për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Gjakovë

Drejtësi

Konfirmohet aktakuza për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Gjakovë

news image

Është konfirmuar aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Komunën e Gjakovës, Bernard Frrokaj.

Frrokaj po akuzohet se ka bërë transferimin e përhershëm të një mësimdhënëseje, pa përfillur procedurat ligjore për sistemimin e mësimdhënësve nëpër vende të punës.

Gjykatësi tha se i akuzuari Frrokaj dhe mbrojtësi i tij nuk kanë paraqitur fare kundërshtim të provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës brenda afatit ligjor.

Në këto rrethana, kjo aktakuzë është konfirmuar dhe sipas gjykatësit Zika, tashmë pritet të formohet trupi gjykues dhe të caktohet seanca e shqyrtimit gjyqësor.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 27 shtator të këtij viti, i akuzuari Frrokaj nuk e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas aktakuzës, më 28 gusht 2019, Frrokaj në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Gjakovës, në kohë të pacaktuar, ka përdorur autorizimet e tij në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Valbona Kuqi.

Në aktakuzë thuhet se ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që e merr vendimin e 28 gushtit 2019 për transferim të përhershëm të mësimdhënëses Varjeta Syla në shkollën “Zekeria Rexha” në Gjakovë, duke e favorizuar këtë të fundit, pa përfillur procedurat ligjore për sistemimin e mësimdhënësve nëpër vende të punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje sipas aktakuzës, po ashtu ky vendim është marrë nga ana e tij rreth një vit para pensionimit të ish-mësimdhënëses Mervete Xerxa, me të cilin vendim ka shkelur seriozisht të drejtat e parapara nga Kontrata Kolektive e Arsimit në Kosovë për të dëmtuarën Valbona Kuqi, e cila ishte duke ligjëruar si mësimdhënëse-zëvendësuese me kontratë të përhershme nga DKA në shkollën e lartcekur, ku me vendim të 13 korrikut 2020 e sistemon në vendin e punës të Varjeta Sylës në fshatin Hereq të Gjakovës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK-së. Kjo vepër penale dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.

/GazetaSinjali/