image Komuniteti serb dhe diaspora sfidë për procesin e regjistrimit të popullsisë

Sociale

Komuniteti serb dhe diaspora sfidë për procesin e regjistrimit të popullsisë

news image

Sfidë për procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që do të organizohet nga shtatori i vitit të ardhshëm, do të jetë regjistrimi i komunitetit serb dhe përfshirja e diasporës. Zëvendës kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave, Ilir Berisha, theksoi se janë bërë përgatitjet për këtë proces, ndërsa në regjistrim do të përfshihen të gjithë qytetarët rezidentë në tërë territorin e Kosovës.

Aktivitetet përgatitore për regjistrimin e popullsisë, Agjencia e Statistikave i ka filluar qysh në vitin 2018 dhe procesi i projektit të madh të regjistrimit të popullsisë kalon në disa faza.

Berisha, tha se një pjesë e madhe e këtyre aktiviteteve është kryer në vitin 2018. Ai bëri të ditur se në vitin 2020 është mbajtur pilotimi i parë, ku janë mbajtur edhe dy teste të tjera të regjistrimit të popullsisë.

“Njëri ka qenë për kodifikimin e klasifikimeve se si do të bëhet me tablet, që në procesin e regjistrimi të mos ketë pengesa, ndërsa tjetri ka qenë për të testuar çështjet e hartave digjitale në tablet, që për regjistruesin të jetë më e lehtë dhe për të testuar komplet logjistikën se si do të funksionojë. Janë përgatitur pyetësorët dhe udhëzuesit, jemi në fazën e përgatitjes së materialeve të tjera përmes operatorëve ekonomikë, siç janë për komunikim dhe sensibilizim, dhe tjerat për blerjen e pajisjeve”, tha Berisha.

Një nga sfidat e procesit të regjistrimit është edhe përfshirja e diasporës.

Berisha, theksoi se do të ketë një pyetësor plotësues për të regjistruar edhe popullsinë e Kosovës që aktualisht nuk janë rezidentë, por që për një kohë të gjatë jetojnë jashtë Kosovës.

“Ne shpresojmë që do të marrim një numër të madh të përgjigjeve për kosovarët që jetojnë jashtë Kosovës. Në bazë të praktikave që i kemi pasur në regjistrimin e fundit, zakonisht përgjigje kanë dhënë ata që kanë pasur të afërt e familjarë. Për qytetarët që punojnë dhe jetojnë mbi nëntë muaj jashtë, informacionet nuk janë të detajuara ashtu siç janë për rezidentët, për shkak të pamundësisë të aktivitetit ekonomik që e kryejnë. Mirëpo, një formularë për të marrë një informacion se sa është numri i tyre që jetojnë do të jetë në këtë pjesë”, Bashota.

Ndërsa, për sa i përket regjistrimit të komunitetit serb në Kosovë, Berisha theksoi se Agjencia e Statistikave ka bërë përgatitjet për tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe ligji parasheh që regjistrimi i plotë konsiderohet kur mbulohet i gjithë territori.

“Jo vetëm serbët në veri të Mitrovicës, por edhe në komunat e tjera me shumicë serbe. Është shumë e rëndësishme që secili person rezident që jeton në Kosovë, por edhe nivelet komunale të marrin pjesë, sepse është shumë e rëndësishme për ata që jetojnë aty. Nivelet komunale duhet të kenë një përqendrim shumë të madh për realizimin e suksesshëm të regjistrimit të popullsisë. Bojkoti i këtij regjistrimi i dëmton vetë komunat në planifikimet e tyre dhe në politikat e tyre, qofshin strategjike për investime, qofshin të shkollimit e shërbimit primar shëndetësor, të politikave të tjera sociale për komunitetin që jeton në atë komunë”, tha Berisha.

Ndërkohë, ai sqaroi se çështja e refuzimeve individuale nuk lejohet, pasi  është e rregulluar me ligj dhe do të ketë gjoba. “Ndërkaq, nëse regjistrimi bojkotohet në nivel komunal, atëherë kjo gjë mund t’i dëmtojë më shumë komunat”, ka theksuar Berisha.

Ai bëri të ditur se risi në procesin e regjistrimit të popullsisë, për dallim nga regjistrimi i vitit  2011, është se do të mbahet me pajisje elektronike, me tablet, gjë që shkurton kohën e publikimit të të dhënave. Ndërsa, foli edhe për përgatitjet e pyetësorëve.

“Për regjistrimin e popullsisë, janë tre pyetësorë të cilët janë individualë, pra, për secilin individ rezident në Kosovë, ku përfshihen informacionet, si: gjinia, përgatitja shkollore, puna, kërkimi i punës, mosha, nacionaliteti. Megjithëse, për tri pyetje, siç janë: gjuha, nacionaliteti dhe besimi fetar, nuk janë të domosdoshme për t’u përgjigjur. Pyetësori tjetër është për ekonomitë familjare, të cilat janë për të ardhurat e tyre, madhësinë e familjes. Ndërsa, pyetësori i tretë është për banesa, që përfshin hapësirën e banimit, kushtet, qasjen në ujësjellës, kanalizime, internet dhe në të gjitha të tjerat. Ka edhe pyetje që parapërgatit një kornizë për regjistrimin e bujqësisë, aktivitetet ekonomike të familjes”, tha Berisha.

Për realizimin e suksesshëm të këtij projekti, ashtu siç e parasheh Ligji për regjistrimin e popullsisë, Agjencia e ka mbështetjen e plotë të nivelit qendror, niveleve komunale, komuniteteve dhe target grupeve të ndryshme. Gjithashtu, rol të rëndësishëm ka edhe mbështetja e institucioneve ndërkombëtare, siç është BE-ja, Organizata e Kombeve të Bashkuara, zyrat në Prishtinë, Banka Botërore dhe donatorë të tjerë.

Paraprakisht do të ketë edhe fushata vetëdijesuese në të gjitha gjuhët. Në bazë të planit dhe dinamikës së punës, do të jenë rreth pesë mijë persona të angazhuar për regjistrim, për një periudhë tre mujore. Buxheti i planifikuar për projektin e regjistrimit, është rreth 12 milionë euro, ndërsa mund të ketë edhe buxhet shtesë.

Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, do të realizohet në periudhën kohore, nga data 1 shtator deri më 16 tetor 2023.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1,8 milion banorë. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë, pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin./Radio Kosova/

/GazetaSinjali/