image Komuna rrëzoi kandidatin e kualifikuar për ta favorizuar gazetarin racist

Kosovë

Prizren/ Komuna rrëzoi kandidatin e kualifikuar për ta favorizuar gazetarin racist

news image

Arafat Gashi është njëri prej kandidatëve që pretendon se diskualifikua pa të drejtë nga Komisioni përzgjedhës i Shërbimit Civil të Komunës së Prizrenit, për pozitën Zyrtar i Lartë për Standarde dhe Vlerësim.

I diplomuar në psikologji dhe edukim, ai është diskualifikuar nga konkursi që në fazën fillestare duke mos arritur të futet as listën e ngushtë.

Në fund të procesit, komuna e Prizrenit vendosi që ta zgjedh në këtë pozitë gazetarin Isuf Kurtaj që kohë më parë ishte larguar nga puna pasi i quajti kosovarët, racë e poshtër. Për ironi ai është punësuar si Zyrtar i Lartë për Standarde dhe Vlerësim, ndonëse në të kaluarën kishte shkelur rëndë standardet etike dhe profesionale, shkruan Sinjali.   

“Edhe kushtet e konkursit i janë përshtat edhe testi i është plotësuar. Edhe dokumentet nuk i ka fare për  këtë pozitë”, thekson për Sinjalin kundërkadidati i Isuf Kurtajt, Arafat Gashi.

Këtij të fundit, në arsyetimin për diskualifikim, Lulzim Ibri nga komisioni për përzgjedhjen në listën e ngushtë, i kishte shkruar se i mungon përvoja e punës pas datës së diplomimit.

Por, Arafat Gashi pretendon se i ka dorëzuar dy vërtetime që dëshmojnë përvojën e tij të punës pas kryerjes së studimeve themelore.  Këtë ia kishte bërë të ditur edhe anëtarit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, Lulzim Ibrit përmes një komunikimi me email.

“Unë kam diplomuar në vitin 2005 në Universitetin e Prishtinës dhe kam punuar nga 2007 deri në 2012. Masterin e kam të përfunduar më 2015 dhe Phd në vazhdim. Ndoshta ju duhet ndihmë për ta lexuar e kuptuar por rastin do ta kalojë në instanca të tjera”, ka shkruar Gashi në përgjigjen e tij.

Arafat Gashi ka kryer masterin në psikologji dhe edukim ndërsa aktualisht po ndjek doktoraturën. Ai pretendon se aplikacioni i tij nuk është shikuar fare nga komisioni vlerësues. Gashi paralajmëron se do t`i ndjek të gjitha rrugët ligjore për ta realizuar të drejtën e tij.

Sinjali më herët raportoi se gazetari Isuf Kurtaj që u përzgjodh si më i dalluari është simpatizues i Vetëvendosjes dhe nip i kryetarit të degës së Nismës në Prizren, Zafir Berisha. Partia e udhëhequr prej dajës së tij në Prizren, Nisma, prej zgjedhjeve të fundit lokale ka bashkëqeverisur me Lëvizjen Vetëvendosje në këtë komunë që drejtohet nga kryetari Mytaher Haskuka

Njoftimi për zgjedhjen e Isuf Kurtaj si Zyrtar i Lartë për Standarde dhe Vlerësim është bërë i ditur më 30 gusht.

Sipas këshillës juridike, kundër këtij njoftimi pala ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga data e publikimit të këtij njoftimi.

Në vijim është biseda e plotë mes Arafat Gashit dhe Lulzim Ibrit, përfaqësuesit të komisionit për përzgjedhjen në listën e ngushtë./Sinjali/