Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se është arritur pajtueshmëri me punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Pastrimi” për ndërprerjen e grevës që kishte lënë kryeqytetin të mbuluar nga mbeturinat.
Megjithatë, ai ka theksuar se kjo nuk nënkupton pajtim me qasjen e menaxhmentit aktual të ndërmarrjes.
“Jemi pajtuar që çështjen e pagesës së shërbimeve të kryera në muajt Janar – Maj ta adresojmë në Gjykatën kompetente dhe që kjo çështje të zgjidhet me marrëveshje – ndërmjetësim”, ka shkruar Rama në një postim në rrjete sociale.
Tutje, ai ka bërë të ditur se pas vendimit të Gjykatës Supreme, inkasimi i pagesave për shërbimet do t’i rikthehet ndërmarrjes “Pastrimi”.
“Pas vendimit të Gjykatës Supreme, jemi pajtuar që KRM ‘Pastrimi’ të bëjë inkasimin vet për shërbimin e ofruar të mbledhjes së mbeturinave.”
Ndërkohë, komuna do t’i transferojë të gjitha mjetet e inkasuara gjatë periudhës së konfliktit financiar.
“ Në kuadër të kësaj, mjetet e inkasuara nga Kryeqyteti gjatë kësaj periudhe, në afat të menjëhershëm të transferohen te Ndërmarrja ‘Pastrimi’.”
Rama ka siguruar qytetarët se pagesat e tyre nuk do të shkojnë huq.
“Në fund, dëshiroj t’i njoftoj qytetarët e Prishtinës se të gjithë ata që kanë kryer pagesat gjatë këtij viti në Komunë, lista e pagesave do t’i përcillet Ndërmarrjes ‘Pastrimi’ dhe pagesat e tyre do të njihen dhe pranohen!”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!