image Komuna e Pejës thotë se buxheti i ndarë nga qeveria nuk i mbulon dëmet e erërave

Kosovë

Financa/ Komuna e Pejës thotë se buxheti i ndarë nga qeveria nuk i mbulon dëmet e erërave

news image

Moti i ligë i shoqëruar me erëra të fuqishme që mbretëroi në rajonin e Dukagjinit mbrëmjen e 4 shkurtit, shkaktoi dëme të mëdha materiale në Komunën e Pejës. Por, për fat të mirë, përveç dëmeve materiale, nuk pati viktima, raporton Gazeta Sinjali.

Dëmet në këtë komunë kapin shifrën rreth 500 mijë euro.

Për ta ndihmuar këtë komunë në rinovimin e objekteve shkollore, Qeveria ndau buxhet në vlerë prej 297 mijë euro.

Megjithatë, sipas drejtorit të Financave në këtë komunë, Jeton Abazaj, ky buxhet është i mjaftueshëm vetëm për rinovimin e objekteve shkollore, por jo edhe për rinovimin e objekteve tjera të dëmtuara.

Abazaj tha se janë duke pritur që buxheti të kalojë në Kuvendin e Kosovës, për të shpallur tenderët dhe për të filluar punën në teren.

“Buxheti i ndarë nga qeveria sa i përket dëmeve të shkaktuara në shkolla është i mjaftueshëm, sepse janë bërë disa parallogaritje dhe me këtë buxhet mbulohen dëmet. Por, problemi është që sipas Ligjit të Prokurorimit Publik, e kemi të pamundur me i shpallë tenderët para se me kalu buxheti në Kuvend. Duhet 15 ditë pasi të kalon buxheti. Kjo na ka bërë problem për të filluar punët në teren për rinovim. Kemi bërë një shkresë në Agjencionin e Prokurorimit Publik për të shikuar ndonjë mundësi si emergjencë a mundemi me i shpallë tenderët para se me kalu buxheti në Kuvend”, u shpreh Abazaj.

Ai tutje tha se sot i kanë pranuar në llogari paratë e ndara nga qeveria, por siç tha ai, do të kërkojnë sërish mjete financiare nga qeveria sepse komuna nuk ka buxhet t’i mbulojë as 10% të dëmeve.

“Sot na kanë ardhë në llogari paratë e ndara nga qeveria. Jemi duke i mbledhë komplet informatat për dëmet që ju kanë bërë personave fizikë dhe atyre juridikë. Ne do t’i dërgojmë prapë kërkesë të re qeverisë që të na ndihmojë. Ta shohim a do të na ndihmojë prapë qeveria sepse komuna nuk ka kapacitet t’i  mbulojë as 10% të dëmeve që janë bërë, për shkak se dëmet janë mjaft në numër dhe në vlerë financiare. Rastet individuale ne s’kemi mundësi me i ndihmu asesi, vetëm shpresojmë që qeveria të na ndihmojë prapë neve edhe Istogun, si komunat më të dëmtuara”, deklaroi Abazaj.

Drejtori i Financave në Komunën e Pejës njoftoi se për shkak reshjeve të shiu këto ditë, rrezikohet edhe mbarvajtja e mësimit të rregullt në shkollat e dëmtuara nga erërat.

Moti i ligë që ka mbretëruar mbi vendin tonë javën e kaluar ka shkaktuara dëme materiale edhe në Komunën e Klinës dhe në atë të Istogut, të cilat mbetët disa ditë pa energji elektrike./GazetaSinjali/