Drejtoria e Arsimit në Pejë vlerëson që mësimi i rregullt në shkolla duhet të fillojë në shtator, nëse deri atëherë nuk ka përkeqësim të situatës së krijuar nga koronavirusi.
Sipas udhëheqësve të këtij sektori në këtë komunë, në veçanti fëmijët në klasën e parë dhe të dytë, ata në të gjashtën dhe nxënësit e klasës së dhjetë duhet të vijojnë mësimin në shkolla.
Ditë më parë, Ministria e Arsimit u ka shpërndarë komunave udhëzuesin e përgjithshëm për organizimin e mësimit në vitin shkollor 2020/2021 në kushtet e pandemisë, të cilin mund ta zbatojnë varësisht nga kushtet dhe rrethanat në të cilat gjenden komunat.
I njëjti vlen derisa nuk ka ndonjë rekomandim të Institutit të Shëndetësisë për ndërprerje të mësimit.
Drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj synon që nxënësit e kësaj komune t’i kthejë në klasa me mësim të rregullt nga muaji shtator.
Ai thotë se do të organizojnë oraret ku klasat me numër më të madh të nxënësve do të mund të ndahen në grupe në mënyrë që të vazhdohet mësimi në shkolla.
“Kjo do të organizohet, bazuar në protokollin. Klasat e mëdha do të ndahen në grupe më të vogla të nxënësve dhe sigurisht drejtorët e shkollave dhe menaxherët nëpër shkolla do t’i bëjnë oraret e caktuara për vazhdueshmërinë e mësimit”, thotë ai.
Avdimetaj përmend edhe sfida të tjera përveç fillimit të vitit shkollor.
“Para fillimit të vitit shkollor i kemi dy sfida të tjera. Nga e hëna fillon regjistrimi i nxënësve në klasë të dhjeta. Pastaj një sfidë shumë e madhe është testi i maturës që është i obliguar me ligj dhe mbi 30 mijë maturantë të shtunën, më 29 gusht, do të zhvillojnë testin e maturës”, theksoi ai.
Duke theksuar që Peja synon kthimin e nxënësve në klasa, Avdimetaj thotë se mësimi online është edhe i kushtueshëm meqë shumë fëmijë nuk jetojnë në kushte të mira financiare dhe prindërit në të shumtën e rasteve i kanë disa fëmijë në shkollë, gjë që e vështirëson angazhimin e tyre online. /Gazeta Sinjali/