Një pagesë prej rreth 4.3 milionë eurosh për kompaninë “Redcloud”, e angazhuar për organizimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West në Shqipëri, ka rikthyer në vëmendje lidhjet e kësaj kompanie me një dosje verifikimi të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Sipas të dhënave të bëra publike, Ministria e Kulturës ka transferuar fondet përmes një vendimi të miratuar nga qeveria, ndërsa pagesa është justifikuar me nevojën për mbështetjen e organizimit të aktivitetit artistik.
Kompania “Redcloud”, e krijuar në vitin 2011 dhe aktualisht në pronësi të Klodian Makashit, është përmendur edhe në kuadër të dokumenteve të sekuestruara gjatë kontrolleve të zhvilluara nga SPAK në kompaninë “Gogel”, në pronësi të Arbër Veliajt, vëllait të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas raportimeve, gjatë kontrolleve është sekuestruar një marrëveshje bashkëpunimi mes “Gogel” dhe “Redcloud”, e nënshkruar në vitin 2024. Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna publike që kompania “Redcloud” të jetë zyrtarisht nën hetim nga SPAK.
Pagesa për organizimin e koncertit ka nxitur debat publik, pasi fillimisht ishte deklaruar se aktiviteti nuk do të financohej nga fondet publike, ndërsa më vonë qeveria vendosi të përdorë një fond prej 400 milionë lekësh për këtë qëllim.
Ndërkohë, hetimet e SPAK ndaj individëve dhe kompanive të përmendura vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë një përfundim përfundimtar lidhur me ndonjë përgjegjësi penale të subjekteve të përfshira.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!