Ministria e Mbrojtjes ka shpërblyer me tender mbi 20 mijë euro, kompaninë “Dauti Komerce” për furnizimin e ushtarëve të FSK-së me pemë e perime.
Kompania në fjalë ishte proceduar për listë të zezë në OSHP me pretendimin se “ka paraqitur të dhëna të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar”. OSHP-ja kishte marrë vendim duke e refuzuar kërkesën si e pa bazuar.
Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 20 mijë euro, ndërsa çmimi i përgjithshëm i kontratës së nënshkruar është 20 mijë e 836 euro.
Në dosjen e tenderit për furnizim, kërkohen produkte si; domate e freskët, domate te zeza, karrotë e freskët, lakër e freskët, lakër e kuqe për sallat, bizele(groshka) të freskëta, patate, fasule/pasul, qepë, qepë e kuqe, hudhëra, speca të padjegëst, speca për mbushje, spec i kuq, tranguj, kungulleshka, sallatë e gjelbër.
Operatori ekonomik i shpërblyer me këtë tender, me çmim prej 20 mijë e 836 euro është “Dauti Komerce” SH.P.K, në Ferizaj.
Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve Kosovare, pronar i kësaj kompanie është Jetmir Dauti. Ndërsa aksionarë me nga 50% janë Hamim Dauti dhe Xhemail Dauti, raporton Insajderi.
Kompania që është zgjedhur fituese e tenderit për furnizimin e ushtarëve të FSK-së me pemë e perime, është proceduar për listë të zezë në OSHP, nga Ndërmarrja Publike Banesore.
Ndërmarrja Publike Banesore e kishte proceduar për listë të zezë, kompaninë “Dauti Komerc sh.p.k”, lidhur me një aktivitet të prokurimit, pasi siç thuhet në dokument ka bërë “paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar”.
Mirëpo, në vendimin e OSHP’ është refuzuar kjo kërkesë, si e pa bazuar.
“Refuzohet, si e pa bazuar kërkesa e Autoritetit Kontraktues – Ndërmarrja Publike Banesore e datës 18.05.2023, për diskualifikim nga pjesëmarrja në prokurimin publik të OE “Dauti Komerc” sh.p.k., lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me pije për byfe” me numër të prokurimit: 1909466981031194-23-3640-1-3-6.“.
Tutje në dokumentin e OSHP-së thuhet se: Autoriteti Kontraktues, kërkon nga OSHP që të shqyrtoj mundësinë për vendosjen në listë të zezë të operatorit ekonomik.
Në vendim, është e cekur edhe përgjigja e kompanisë “Dauti Komerc” ndaj kërkesës së Ndërmarrjes publike Banesore.
Sipas tyre kanë pasur një gabim ku ujin mineral e kishin ofruar me çmim prej 0.13 euro për litër që në fakt 0.13 euro është çmimi për cope 500 ml. dhe çmimi për litër realisht kushton 0,26 euro.
“Me 18.05.2023, OSHP, pas pranimit të kërkesës së AK-së, e ka njoftuar OE “Dauti Komerc” sh.p.k., i cili përmes parashtresës me shkrim është përgjigjur: “Ne si OE jemi të tronditur se si mundet një AK, siç është: Ndërmarrja Publike banesore, të merr kësi lloj vendimi/kërkesë ku pa asnjë bazë të qëndrueshme dhe pa asnjë komunikim me ne, duke u bazuar në nenin 99 paragrafi 2 i cili është vetëm për raste si: me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar, që nuk ka të bëj me rastin tonë, akuzon dhe merr vendim për një kërkesë të tillë pa i llogaritur pasojat dhe dëmet që mund të na shkaktoj neve si Kompani.
Pasi që sipas nenit 99 paragrafi 2 i L.P.P thuhet se: Në bazë të një kërkese me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtoj dhe të diskualifikojë O.E nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një (1) vjeçare. Ne si kompani në tenderin e shpallur nga: Ndërmarrja Publike Banesore me nr. Prokurimi: 1909466981031194-23-3640-1-3-6 për: Furnizim me pije për byfe nuk kemi paraqit të dhëna të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar.
Ne kemi vënë re pas hapjes se tenderit dhe paraqitjes së procesverbalit të hapjes në e-Prokurim që jemi shumë më të lire se O.E të tjerë dhe pas kontrollimit te ofertës kemi konstatuar që gjatë plotësimit të ofertës kemi gabuar te: Artikulli nr. 10 (Ujë mineral natyral 05 1) te cilin e kemi ofrua me çmim prej 0,13 euro për litër që në fakt 0.13 euro është çmimi për cope 500 ml. dhe çmimi për litër realisht kushton 0,26 euro.
Pas konstatimit të gabimit në ofertën tonë e kemi informuar AK për gabimin e ndodhur një ditë pas hapjes se tenderit me email ku edhe e kemi njoftuar për tërheqje, mirëpo nuk kemi pasur asnjë reagim apo njoftim nga ana e AK as me email as me bisede telefonike”, thuhet ndër të tjera në vendimin e OSHP’së, për përgjigjen e kompanise Dauti Komerc.
Tutje, thuhet se kërkesa nuk mund të konsiderohet provë e mjaftueshme që të diskualifikohet OE Dauti Komerc.
“Paneli shqyrtues pas analizimit të akteve dhe veprimeve të palëve dhe pretendimeve reciproke të tyre, konstatoj se autoriteti kontraktues në kërkesën e tij për diskualifikim ka dhënë shpjegime se cilat janë arsyet që pretendon që OE të diskualifikohet, por që OE në shkresën e tij ka paraqitur arsyet konkrete lidhur me rastin konkrete duke e shpjeguar gjithë rrjedhën e rastit. Andaj konstatohet se nga kërkesa e AK dhe faktet e vërtetuara në mënyrë të pavarur nga OSHP dhe të shpjeguara si më sipër, nuk mund të konsiderohen prova të mjaftueshme se duhet të diskualifikohet OE “Dauti Komerc” sh.p.k., ashtu siç pretendon AK“.
Por, pasi që “Dauti Komerc” është tërhequr nga ajo kontratë, OSHP ka urdhëruar, Ndërmarrjen Publike Banesore që ta bëj konfiskimin e sigurisë së tenderit për OE në fjalë.
“Por me qenë se OE “Dauti Komerc” sh.p.k., është tërhequr/nuk ka nënshkruar kontratën për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me pije për byfe” me numër të prokurimit: 1909466981031194- 23-3640-1-3-6, Paneli Shqyrtues ka vlerësuar që të bëhet konfisikimi i tenderit, ashtu që urdhërohet AK, respektivisht Ndërmarrja Publike Banesore, që ta bej konfiskimin e sigurisë së tenderit për OE në fjalë“, thuhet në vendim.
Çështja e ushqimit të ushtarëve të FSK-së ka qenë ndër temat më të diskutuara së fundmi në vend. E para, për cilësinë e dobët e edhe për shkak të skadimit të kontratës për furnizimin me ushqim.
Ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se që nga viti 2015 furnizimi është bërë në mënyrë emergjente dhe në minutën e fundit, çka ka krijuar hapësira për keqpërdorim.