Shumë mërgimtarë zgjedhin që festat e fundvitit t’i kalojnë bashkë me më të dashurit e tyre në vendlindje, Kosovë. Nga anë e kënd bota ku ata punojnë e veprojnë, dikush me automjet e dikush me avion marrin rrugën për në atdhe.
Ndonëse për t’i ikur pritjeve të gjata në kufi, disa zgjedhin aeroplanin, jo gjithmonë kjo del të jetë zgjidhja më e mirë.
Gazeta Sinjali raportoi ditë më parë se kompania ajrore “PrishtinaJet” ka mashtruar mërgimtarët, të cilët kanë paguar qindra euro bileta dhe në fund kanë mbetur pa ardhur në Kosovë, pasi që fluturimi i tyre është anuluar një ditë para nisjes.
Ata ankohen se kompania në fjalë nuk ua kthen paratë e biletave dhe më nuk përgjigjet në thirrjet, e-mailat dhe mesazhet e klientëve të saj.
Pre e mashtrimit të kësaj kompanie ra edhe një bashkatdhetarë i cili jeton në Gjermani.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali ai denoncoi kompaninë “PrishtinaJet” që ia ka marrë mbi 500 euro për dy bileta nga Stuttgarti për në Prishtinë, për të dy fluturimet janë anuluar një ditë para nisjes.
Ai pretendon se ka blerë dy bileta, njërën në vlerë të 256.60 dollarëve dhe tjetrën në vlerë të 306.80 dollarëve, për në të dyja rastet, ani pse fluturimi për në Prishtinë është anuluar në çastin e fundit, ai nuk është rimburësuar.
Megjithëse ka kërkuar arsyetim nga kompania në fjalë, e vetmja përgjigje që ai ka marrë nga ky agjencion është se “Kjo pagesë nuk ka dalë te ne”.
“Kam kontaktuar me ta. E hapin telefonin, thonë ‘jo, ne nuk i kemi pranu paratë’ dhe pastaj nuk e hapin as telefonin, as kurgjo. Po i merr paratë dhe një ditë para fluturimit, po vjen e-maili që është anulu fluturimi për shkak të pagesës. Dy fluturime m’i kanë anuluar dhe nuk i hapin as telefonat as mesazhet”, tha ai.
Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktojë sërish me kompaninë “PrishtinaJet”, por numri kontaktues ka qenë i paqasshëm./GazetaSinjali/