image Kompania e vajzës së Bill Gates në qendër të një skandali

Botë

Kompania e vajzës së Bill Gates në qendër të një skandali

news image

Kompania teknologjike Phia, e bashkëthemeluar nga Phoebe Gates, vajza e themeluesit të Microsoft, Bill Gates, është vënë në qendër të vëmendjes pas raportimeve për praktika të diskutueshme në funksionimin e aplikacionit të saj.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga Bloomberg, zgjerimi i Phia për shfletuesit e internetit dyshohet se gjatë procesit të blerjeve online hapte dritare në sfond dhe shtonte kode të veçanta që ridrejtonin komisionet e marketingut në favor të kompanisë. Praktika njihet në industrinë e marketingut digjital si “cookie stuffing” dhe konsiderohet shkelje e rregullave të shumë platformave të tregtisë elektronike.

Nga kompania kanë reaguar duke sqaruar se bëhej fjalë për një gabim teknik në kodin e aplikacionit, i cili, sipas tyre, është korrigjuar menjëherë pas identifikimit.

Pavarësisht polemikave, Phia vazhdon të zgjerohet në tregun e inteligjencës artificiale. Platforma ndihmon përdoruesit të krahasojnë çmimet e produkteve të modës dhe të gjejnë oferta më të favorshme në internet.

Kompania ka siguruar së fundmi investime që kapin vlerën e mbi 37 milionë eurove nga investitorë të njohur të Silicon Valley, ndërsa vlerësimi i saj në treg raportohet të jetë rreth 159 milionë euro.

Phoebe Gates ka deklaruar më herët se synon ta ndërtojë karrierën e saj mbi punën dhe idetë personale, duke theksuar se gjatë prezantimeve para investitorëve nuk ka përdorur emrin e familjes për të përfituar avantazh.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/