image Kompania e Fadil Demirit futet në listë të zezë, falsifikoi mostrat në tenderin për hemodializë

Shëndetësi

Kompania e Fadil Demirit futet në listë të zezë, falsifikoi mostrat në tenderin për hemodializë

news image

Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka futur në listë të zezë kompaninë ‘Ardi Sh.p.k’ për disa muaj, duke e diskualifikuar nga pjesëmarrja në prokurimin publik, pas denoncimit nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës. Kjo kompani dyshohet për mashtrim lidhur me mostrën e dorëzuar për tenderin për furnizimin me materiale për hemodializë nga LE për SHSKUK, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka siguruar vendimin e Panelit të OSHP-së ndaj kompanisë ‘Ardi Sh.p.k’ me pronar Fadil Demirin, operator ky që i është shqiptuar masa e diskualifikimit për periudhën kohore prej 3 muajsh.

SHSKUK pretendon se gjatë procesit të vlerësimit të ofertave, Komisioni ka vërejtur se mostrat e ofruara për Lot 4 dhe Lot 5, nuk janë origjinale, konkretisht vërehet se ka ndërhyrje në mostrën e dorëzuar – përkatësisht kompania ka falsifikuar.

Në arsyetimin e vendimit, thuhet se në mostrën e dorëzuar, te pjesa ‘Fixed Wing’ është vendosur një stiker me emërtimin ‘Rotating Wing’ dhe krejt kjo, sipas SHKK-së, është bërë vetëm për të mbuluar specifikimin teknik të produktit të kërkuar nga ky institucion.

Kërkesa e SHSKUK është kundërshtuar nga kompania e Demirit, duke kërkuar që të refuzohet, me arsyetimin se nuk kanë mashtruar dhe falsifikuar – se gjoja bëhet fjalë për një gabim teknik nga ana e prodhuesit dhe se produkti në fjalë është ‘Rotating Wing’.

Lidhur me rastin, eksperti shqyrtues ka bërë vlerësimin e pretendimeve të SHSKUK-së dhe ka dorëzuar rekomandimin e tij që kërkesa e SHKUK-së të aprovohet.

Në rastin konkret, ‘Ardi Sh.p.k.’, ka marrë përgjegjësinë mbi dorëzimin e dëshmive dhe mostrave për këtë aktivitet të prokurimit dhe mbi bazën e sqarimeve të dhëna, e konfirmon se ka ndërhyrje në mostrën dhe rrjedhimisht, OSHP ka vlerësuar se nuk mund të kualifikohet si gabim teknik vendosja e një stikeri në mostër.

“Pra, mbulimi apo vendosja e stikerit ka qenë e qëllimshme dhe ky fakt konfirmohet edhe në email-in e prodhuesit” – thuhet tutje në vendim.

Në seancën dëgjimore të mbajtur me palët e përfshira, përfaqësuesi i SHKUK-së ka deklaruar se qe 12 vjet në zyrën e prokurimit në këtë institucion, asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë aplikime me mostra që kanë mbuluar përmbajtjen origjinale të prodhuesit – duke shtuar faktin që materiali është një përdorimësh për personat e sëmurë me hemodializë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i autorizuar i kësaj kompanie, pasi është përballur me mostrat që dyshohet se iu mbuluan stikersat, i ka mohuar pretendimet dhe ka akuzuar se një gjë e tillë po bëhet për ta dëmtuar këtë kompani.

Pasi Paneli shqyrtues ka vlerësuar dhe trajtuar dosjen për këtë rast, ka gjetur se pretendimet ankimore të SHSKUK-së janë të bazuara.

/GazetaSinjali/