image Kompania e dostit të Hysen Durmishit shtron asfalt në Podujevë, prishet pas një muaji

Kosovë

Kompania e dostit të Hysen Durmishit shtron asfalt në Podujevë, prishet pas një muaji

news image

Asfalti i shtruar më 17 gusht në komunën e Podujevës, tashmë është prishur. Për këtë plasaritje, komuna lë fajtore të reshurat e shiut, ndërsa një asamblist i LDK-së, parti opozitare në Podujevë, e akuzon kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqi, për shkelje ligjore.

Në kontratën, e nënshkruar më 22 prill të këtij viti, në mes të Komunës së Podujevës dhe kontaktuesit, që në këtë rast është operatori ekonomik “Bageri Company”, shuma në këtë kontratë është 184.667,68 euro.

Por, duket se ish-kompania ku ka punuar për vite Hysen Durmishi, tash zëvendësministër i Ministrisë së Infrastrukturës, nuk e ka kryer punën si duhet.

Në pamjet e publikuara nga Nacionale shihet qartë që asfalt i sapo shtruar, tashmë është dëmtuar.

Në këtë kontratë thuhet se duhet shtruar asfaltimi në rrugën Brunicë – Konushec, Llaushë – Dobërdol, Dumosh – Sfeqël dhe Kaqibeg – Sibofc.

Madje, rruga Brunicë – Konushec është përuruar nga kryetari, Shpejtim Bulliqi me 17 gusht 2022, duke u krenuar se e njëjta rrugë po asfaltohet.

Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Podujevë, Leutrim Krasniqi ka thënë se kontrata me kompaninë e kontraktuar ende nuk ka përfunduar dhe se operatori do të bëjë riparimin e të gjitha pjesëve të dëmtuara.

“Sa i përket rrugës Burice – Konushec, janë paraqit disa plasaritje të asfaltit. Arsyeja kryesore qëndron në pjerrësinë tërthore të rrugës, pastaj të bazamentit ku reshjet e shiut kanë shkaktuar lëvizje të masës së dheut. Kontrata nuk ka përfunduar dhe se operatori do të bëjë riparimin e të gjitha pjesëve të dëmtuara”, ka thënë ai për Nacionale.

Lidhur me këtë janë deklaruar edhe nga kompania nga Ferizaj, “Bageri Company”.

“S’un jom marr, po një kryepunëtor fola që e kom në Podujevë, në rregull tha jonë krejt, një defekt i vogël ka qenë dhe e kemi sanu tha. Po çka do që ka aty është garancioni që i mbulon të gjitha.”, deklaroi Valdrin Shabani nga “Bageri Company”.

Ndërsa, asambleisti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Rrahmani ka fajësuar qeverisjen komunale për këtë dështim.

“Po është ka ndodh një hajni në çdo rrugë që shtrohet ka edhe tjera kontrata që nuk i jepen më të lirit po cilën don kryetari. I shkel të gjitha ligjet e prokurimit. Edhe i rregullon në mënyrën më të keqe të mundshme. Me vet faktin që mbas një muaji nuk kalohet në atë rrugë nuk don koment.”, ka treguar ai.

Kujtojmë, që Bulliqi ka rifituar zgjedhjet në këtë komunë vitin që shkoi, duke u zgjedhur për herë të dytë në krye të Podujevës nën siglën e LVV-së, raporton Nacionale.

/GazetaSinjali/