Komiteti Olimpik i Kosovës i ka shprehur ngushëllime familjes, miqve, Federatës së Boksit dhe gjithë sportdashësve pas vdekjes së legjendës së boksit të Kosovës, Xhevdet Peci.
Xhevdet Peci ndërroi jetë këtë të hënë në moshën 67-vjeçare. Ai ishte kampion i shumëfishtë në ish-Jugosllavi.
Në telegram ngushëllimin, KOK theksoi se lajmin për vdekjen e Pecit e morën me pikëllim të madh.
Më poshtë e gjeni njoftimin e plotë nga Komiteti Olimpik:
Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ikonës së boksit tonë, Xhevdet Peci
E nderuara familja, Peci
Me pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ikonës se boksit kosovar dhe mbarëshqiptar, Xhevdet Peci.
Peci u nda sot nga jeta në moshën 67-vjeçare, pas sulmit në zemër.
Perci, që viteve të fundit jetonte me familjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte pjesë e gjeneratës së artë të klubit të boksit Prishtina. Së bashku me Prishtinën ka fituar disa tituj të Jugosllavisë, ndërsa ka pasur suksese të mëdha edhe individuale. Ishte idhull i shumë sportdashësve.
Ndarja e tij nga jeta do të lë boshllëk të madh në boksin dhe sportin tonë, pasi ai ishte frymëzim i boksierëve të rinj. Peci ishte nje prej boksierëve më të dashur të adhuruesve të boksit, derisa njihej si “dorëza e hekurt”.
Peci dha kontribut edhe për Komitetin Olimpik të Kosovës, ku ishte anetar i Bordit Ekzekutiv në mandatin 2001-2005.
Në emrin tim personal, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe gjithë Lëvizjes Olimpike në Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqertë familjes së tij, miqëve, Federatës së Boksit të Kosovës dhe gjithë sportdashësve.
Ismet Krasniqi,
President i Komitetit Olimpik të Kosovës”.