Shtetet fqinje kanë regjistruar numër në rritje të rasteve të reja ditore me COVID-19 në javën e fundit, por megjithatë, në asnjë prej pikave kufitare nuk ka kontrolle mjekësore siç ishin aplikuar në muajt e izolimit.
Komisioni për Shëndetësi pritet t’i drejtohet me kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë për të kuptuar se kur do të kthehen ekipet mjekësore në pikat kufitare si dhe në Aeroportin e Prishtinës. Madje, deputetët opozitarë të këtij komisioni thonë se ministria nuk i ka njoftuar fare rreth vendimit për të larguar ekipet mjekësore.
Kryetarja e këtij komisioni që vjen nga radhët e AAK-së, Albena Reshitaj deklaroi se si komision janë duke e monitoruar punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe se do të kërkojnë nga kjo ministri informacione se kur planifikojnë t’i kthejnë ekipet mjekësore në pikat kufitare.
Reshitaj theksoi se sikur në vendet e tjera edhe në Kosovë numri i të infektuarve me COVID-19 është në rritje, prandaj nëse vazhdon kjo rritje, institucionet e vendit do të detyrohen që t’i kthejnë ekipet mjekësore nëpër pikat kufitare.
“Ne si Komision për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës do t’i kërkojmë sqarime Ministrisë së Shëndetësisë, akterëve përgjegjës për arsyetimin se kur planifikojnë në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, por edhe në bazë të rekomandimeve, këshilltarëve, ekspertëve shëndetësorë që jepen nga këshilli i ekspertëve nëse e kanë paraparë në këtë periudhë të kthehen ekipet të cilat do të bëjnë kontrollimin e të gjithë atyre që futen apo edhe dalin nga Kosova”, ka thënë Reshitaj.
Ndërsa, anëtari tjetër i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka ka thënë se deputetët nuk kanë qenë të informuar për largimin e ekipeve mjekësore nga pikat kufitare. Sipas tij, kontrolli në kufi është i rëndësishëm në parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe një gjë e tillë është e paraparë edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Heqjen e kontrolleve mjekësore në kufi, Uka e quan një tjetër gabim të Qeverisë së Kosovës në menaxhimin e pandemisë.
“Ne si deputet nuk jemi të informuar për diçka të tillë, madje edhe në raportimin e fundit të Zemajt në komisionin parlamentar për shëndetësi, nuk është përmendur një temë e tillë dhe konsideroj që ky është një nga gabimet e radhës që bënë kjo qeveri, në raport me menaxhimin e pandemisë sepse po i shihni edhe numrat që tash më nuk janë në favor të Kosovës”, deklaroi Uka.
Anëtari tjetër i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se nuk ka ndonjë raport sa i përket kësaj çështje, mirëpo thekson se e ka ngritur si shqetësim pas rifillimit të rritjes së numrit të rasteve.
Haxhiu thotë se shteti do të duhej të bënte një riorganizim dhe të rivendosen ekipet mjekësore, si dhe të bëhen teste edhe në pikat kufitare ku edhe rezultati mund të merret pas 24 orësh.
“Kosova tani po përgatitet për fazën e tretë të COVID-it sepse ajo faza e muajit korrik edhe gusht, e konsiderojmë që ishte faza e dytë edhe ajo është për shkak të mosmarrjes me kohë të masave mbrojtëse nga ish-Qeveria Kurti dhe më pas edhe nga Qeveria Hoti. Masën e dytë Kosova e ka dhuratë prej papërgjegjësisë së këtyre dy qeverive”, ka thënë Haxhiu.
Pas heqjes së ekipeve mjekësore në pikat kufitare, Kosova vendosi kritere për qytetarët e vendeve të cilat i konsideron me rrezikshmëri të lartë të infektimit. Por asnjë prej vendeve të rajonit aktualisht nuk është në këtë listë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, deklaroi se aktualisht, Kosova bazuar në një listë të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka listuar një sërë shtetesh të cilat i konsideron me rrezikshmëri të lartë të infektimit me COVID-19. /Gazeta Sinjali/