Sot, është konstituuar Komisioni për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media i Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Gjatë mbledhjes konstituive të këtij komisioni janë zgjedhur kryetari, nënkryetari dhe anëtarët e tij.
Kryetare e këtij Komisioni është zgjedhur, Doarsa Kica – Xhelili nga Lista Guxo, ndërsa nënkryetar, Mergim Lushtaku i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili kishte qenë kryesues i këtij komisioni në legjislaturën e kaluar.
Kica – Xhelili, tregoi për fushëveprimin e këtij Komisioni.
“Ky Komision është funksional dhe shqyrton të gjitha punët e administratës, shqyrtimin e buxhetit të resorit përkatës, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit të fushëveprimit të tij. Komisioni bashkëpunon dhe kërkon raportim nga ministra e ish-ministra”, tha Kica – Xhelili.
Nënkryetari, Mergim Lushtaku tha se duhet që në këtë Komision të kthehet veprimtaria e administratës publike.
“Vlerësoj që ne si Komisionin duhet të bëjmë një kërkesë që të rishqyrtojmë këtë çështje që veprimtaria e Administratës Publiket të kthehet në këtë Komision”, ka thënë ai.
Ky propozim është përkrahur nga anëtari i këtij komisioni, Besim Muzaqi, i cili kërkoi që kjo çështje të futet si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e ardhshme të këtij komisioni.
Edhe Kici Xhelili u pajtohua që kjo temë të trajtohet në ditët në vijim.
Në anën tjetër, Besnik Tahiri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës propozoi që ky komision të mbikëqyrë edhe Ligjin për Paga dhe reforma të tjera.
“Ky komision në të kaluarën e ka mbikëqyr edhe Administratën Publike që përfshin mbi 50 mijë punonjës, andaj ky komision do të duhej të mbikëqyrë edhe Ligjin për Paga e reforma tjera”, tha ai.
Përbërja e komisionit:
Kryesuese, Doarsa Kici Xhelili – Lista Guxo
Nënkryetari , Mergim Lushtaku – PDK
Anëtarët e Komisonit:
Besnik Tahiri – AAK
Agim Veliu – LDK
Igor Simiq – Lista Serbe
Besim Muzaqi – LVV
Nijazi Isaku – LVV
Valon Ramadani – LVV
Fitim Haziri – LVV
Floretë Zejnullahu – PDK./Gazeta Sinjali/