Anëtarët e Komisionit për Legjislacion në kuadër të Kuvendit të Kosovës, janë pajtuar që ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons të ftohet për t’u deklaruar në Kuvendin e Kosovës për ankesat të cilat i ka në lidhje me misionin në të cilin bënte pjesë ai, transmeton Gazeta Sinjali.
Në këtë takim deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shprehur rezervat e tyre për raportimin të Simmonsit.
Në takimin që u mbajt të martën Driton Selmanaj nga LDK tha se raportimi i Simmons do të jetë një show mediatik, transmeton Sinjali.
Ai deklaroi se Simmons ka pasur mundësi që t’i drejtohet Brukselit për këtë çështje.
“Po futemi në një precedent që nuk ka me na bë mirë, po dojmë show atëherë edhe unë bëhem pjese e show-it publik”, ka thënë Selmanaj.
Deputetja Blerta Deliu nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, u shpreh se ish-gjyqtarit Simmons duhet t’i jepet mundësia të flas dhe se ajo e mbështetë fuqishëm këtë.
Gjithashtu, edhe deputetja nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili, tha se e mbështet dëgjimin e ish-gjyqtarit të EULEX-it dhe se për këtë, duhet të fillojnë me përgatitjet.
Edhe Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se mendon se ky dëgjim nuk i bënë dëm parlamentit por shtoi se nuk e di nëse do i bëjë “hair” apo sherr të vërtetës. Ai shtoi se dëgjime të tilla janë bërë edhe më herët në Amerikë.
Pas këtyre deklaratave, anëtarët u dakorduan që administrata të merret më procedura që të ftohet për dëgjim ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons. /Gazeta Sinjali/