Anipse në listë për intervistë si dëshmitarë ka pasur ministra, kryeministrin apo ish-kryeministra, liderë dhe ish-liderë të partive politike, Komisioni Hetimor Parlamentar për gjendjen në PTK dhe Vala, nuk arriti që ta intervistoj asnjë prej tyre, në 28 mbledhje sa ka mbajtur në periudhën prej 5 muaj e gjysmë të funksionimit, pasi nesër pritet të shpërndahet Kuvendi.
Ndërsa, sot gjatë miratimit unanim të raportit hetimor, pothuajse të gjithë deputetët e partive që janë anëtarë të Komisionit, vunë në theks se raporti ka disa vërejtje dhe nuk figuron në të ndikimi politik.
Deputetët e partive, veçanërisht të PDK-së dhe LDK-së, e shfrytëzuan mbledhjen e fundit edhe për fushatë.
Deputeti Haxhi Avdyli nga LDK-ja, tha se ky raport plotëson kushtet bazike për punën e Komisionit, por ka disa mangësi në të, ngase mjaft pak janë përmend ndikimet politike.
Avdyli theksoi se zanafilla e këtij krimi sipas tij ka filluar me qeverinë e parë pas pavarësisë me Qeverinë “Thaçi 1”. Madje, Avdyli fajësoi edhe ish-qeverinë e partisë së tij, për mosveprim për ndalimin e krimit në PTK.
“Në këtë raport shumë pak përmenden ata bashkëkryerësit e krimit apo përgjegjësitë të cilët e kanë sjellë gjendjen e PTK-së, e në këtë rast është politika. Sepse në çdo krim ka kryerësit dhe ndihmësit e ndihmës në krim është politika. Zanafilla e këtij krimi fillon me qeverinë e parë pas pavarësisë, Qeverinë ‘Thaçi 1” dhe ka vazhduar pastaj edhe me qeveritë tjera, disa me mosveprimet e tyre, disa edhe me veprime të dëmshme dhe tani kemi ardhur në gjendjen ku jemi me procedura gjyqësore, shpenzime enorme dhe keqpërdorime milionëshe mos të themi qindra milionëshe”, deklaroi Avdyli.
Ndërsa, deputetit nga PDK Bekim Haxhiu, nuk i pëlqeu diskursi i deputetit Avdyli, sepse siç tha ai ky proces për MVNO-të ka filluar në vitin 2006 me anëtarë të LDK-së, ndërsa shprehja e interesit ka filluar më 3 tetor 2007 ende pa filluar procesi zgjedhor i 2007-s, dhe ende pa i fituar PDK-ja zgjedhjet në 2007.
Haxhiu tha se nëse asgjë tjetër nuk është arritur në këtë Komision, ka arrit ta ç‘kapë Telekomin nga Devollët.
“Kontratën e parë parimore e ka nënshkruar Adnan Merovci, anëtar i Këshillit drejtues të LDK-së dhe nuk po dua as me politizuar e as me mohuar atë çka është në dokumente. Por, çka kemi arrit brenda kësaj periudhe kohore si Komision, me punë të përbashkët, kemi arrit që bashkë me sindikatën e punëtorëve, me menaxhmentin aktual, me punëtorët e Telekomit dhe ne bashkë me ç’kapë Telekomin nga Devollët”, pohoi Haxhiu.
Edhe deputetja Albulena Haxhiu ka përkrahur raportin, por në mungesë të kohës tha se nuk kanë arritur që të intervistojnë ministra, ish-ministra, kryeministra dhe ish-kryeministra.
Ajo sot fajësoi edhe një ish-ministër, Ahmet Shalën, sipas të cilës ka qenë personi kyç që ka bërë presion për nënshkrimin e kontratës “Z-Mobile”.
“Raporti është i mirë, natyrisht ishte dashur që edhe më shumë të gjetura me pas, por kjo ka ndodhur për shkak të rrethanave në të cilat ndodhemi. Besoj që është e qartë që të evidentohet rrjeti kriminal që e kemi përmendur në vazhdimësi për të mundësuar kontratat që i kanë shkaktuar dëme të mëdha Telekomit. Ne kemi pasur në plan që të thërrasim edhe dëshmitarët që kanë bartur poste në qeveritë e kaluara qoftë ministra ose kryeministra, por nuk kemi pasur mundësi për shkak të kohës që kemi pasur në dispozicion që t’i thërrasim. Sepse nëse ju kujtohet (Shyqeri) Haxha, prej dëshmive që kemi pasur ka përmendur Ahmet Shalën, përkatësisht ka përmendur dy email-la si formë presioni për ta nënshkruar kontratën e me ‘Z-mobile’”, theksoi deputetja Haxhiu.
Deputeti Armend Zemaj nga LDK tha se janë tri arritje të këtij komisioni me gjithë pengesat që ka pasur.
E para, sipas tij, është nxjerrja në sipërfaqe e shumë të gjeturave të cilat pasqyrojnë gjendjen reale të degradimit të Telekomit, e dyta sensibilizimi i opinionit dhe bashkëpunimi me sindikatën e punëtorëve për të mbrojtur interesin e Telekomit dhe e treta pasqyrimi real i kapacitetit profesional i gjithë udhëheqësve të Telekomit dhe ndërlidhjet e tyre me politikën për të shfrytëzuar Telekomin për interesa grupore.
Kryesuesi i komisionit në mbledhjen e fundit me këtë përbërje, Visar Ymeri tha se ky raport është i mirë, ka hapësirë edhe për çështje të tjera, mirëpo Komisioni nuk ka arrit ta përfundojë punën në mandatin gjashtë mujor për shkak të mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit nesër.
Deputeti i PSD-së, Ymeri tha se asnjë intervistuar prej menaxhmentit nuk ka mundur të dëshmojë që kontratat e lidhura kanë qenë të nevojshme për Telekomin.
Ymeri theksoi se ajo çfarë mund të bëjë sot Komisioni, është që ta miratojë raportin me punën e deritashme, në mënyrë që t’i mbetet legjislaturës së ardhshme të ta rinisë një Komision me një periudhë gjashtë mujore për të njëjtën çështje, meqë është e lejuar edhe me ligj.
Me propozimin e deputetit Zemaj, raporti i është votuar pro dërgimit në prokurori të Kosovës./Sinjali/