Komisioni Hetimor për energji ka ftuar disa ish-kryeministra për raportim, në mesin e tyre edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili gjendet në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Komisioni po ashtu ka ftuar për intervistë ish-kryeministrat Agim Çeku, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj, në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.
Ndërkohë, në nivel të ministrave do të ftohen Besim Beqaj, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Fadil Ismaili, Valdrin Lluka, Muharrem Nitaj e Justina Pula.
Por me mosfutjen në këtë listë të kryeministrit Albin Kurti, reagoi deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa. Ai kërkoi që në këtë listë pos Kurtit të futet zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, shkruan EO.
“Është e pandershme me përmend Hashim Thaçin e jo Albin Kurtin. Nëse dëshironi të bëni politikë, bëjmë politikë. Është e pandershme me anashkalu Qeverinë Kurti 1 dhe 2, e mos ta përmendësh Hekuran Muratin e Besnik Bislimin”, tha Beqa.