image Komediani turk arrestohet pas shakave ndaj Erdoganit, akuzohet për nxitje të urrejtjes

Bota e Yjeve

Komediani turk arrestohet pas shakave ndaj Erdoganit, akuzohet për nxitje të urrejtjes

news image

Komediani i njohur turk Deniz Göktaş është arrestuar nga një gjykatë në Stamboll, pasi autoritetet e akuzojnë për “nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë” si dhe për fyerje të presidentit Recep Tayyip Erdogan gjatë një shfaqjeje stand-up të publikuar në YouTube.

Göktaş është ndaluar në aeroportin kryesor të Stambollit teksa kthehej nga pushimet. Më pas, gjykata ka vendosur masën e paraburgimit pas marrjes në pyetje nga prokurorët, lidhur me pjesë të performancës së tij ku përmendeshin presidenti Erdogan dhe Kurani.

Videoja e shfaqjes është publikuar më 24 qershor në YouTube dhe ka grumbulluar rreth 9.4 milionë shikime.

Sipas Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Stambollit, autoritetet kanë pranuar 185 ankesa për përmbajtjen e videos. Ndërkohë, Drejtoria e Çështjeve Fetare të Turqisë ka kritikuar publikisht shfaqjen në predikimin javor të së premtes, duke deklaruar se tallja me vlerat fetare nën petkun e humorit dëmton edukimin dhe vlerat e brezit të ri.

Në dëshminë e tij para prokurorëve, Göktaş ka mohuar se ka pasur qëllim të ofendojë besimtarët apo presidentin. Ai ka deklaruar se e njëjta shfaqje është interpretuar për gati tre vjet në qytete të ndryshme të Turqisë dhe se përdorimi i termit “diktator” ka qenë pjesë e një debati publik të njohur në vend.

Arrestimi i komedianit ka nxitur reagime nga mbështetësit e tij, të cilët janë mbledhur jashtë gjykatës në Stamboll për të protestuar kundër vendimit. Pamjet e Göktaş me duar të prangosura pas shpine janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Rasti i tij vjen në një periudhë kur autoritetet turke kanë intensifikuar masat ndaj kritikëve të qeverisë. Gjatë javëve të fundit janë arrestuar gazetarë, avokatë, akademikë, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të komunitetit LGBT+, ndërsa qasja në disa llogari të mediave sociale është bllokuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/