image Komandanti i KFOR-it, Utulas: Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërcënimi në veri

Siguri

Komandanti i KFOR-it, Utulas: Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërcënimi në veri

news image

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Utulas, ka deklaruar se trupat e NATO-s kanë marrë masa të nevojshme për t’iu përgjigjur çdo lloje dhune të mundshme, duke shtuar se zgjidhja e problemeve duhet të bëhet me diplomaci duke i dhënë përparësi dialogut Kosovë-Serbi.

Komandanti i KFOR-it tha se tensionet në rajon janë rritur, pas incidentit të dhunshëm të 24 shtatorit dhe sulmeve të papranueshme ndaj trupave të KFOR-it në maj.

“Mandati i KFOR-it është i qartë, të mbajë mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë njerëzit e saj, pa marrë parasysh se nga vjen kërcënimi. Më lejoni t’u sigurojë se ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide”, deklaroi ai.

“Si pasojë, NATO-ja ka vendosur forca shtesë rezervë me kapacitete plotësuese. Tani po mbajmë më shumë aktivitete. Kemi katërfishuar praninë tonë në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Synimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin, por në rast përshkallëzimi, jemi të gatshëm dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë”, deklaroi numri një i KFOR-it, në një intervistë për RTK.

Ndryshe, në Kosovë sot është vendosur batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s.

Sipas njoftimit të KFOR-it, ky batalion është vendosur në kuadër të misionit paqeruajtës të udhëhequr nga misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë.

/GazetaSinjali/