image Komandanti i KFOR-it takohet me Kurtin, zotohet për zvogëlim të mundësisë së veprimeve që çojnë në tensione

Kosovë

Komandanti i KFOR-it takohet me Kurtin, zotohet për zvogëlim të mundësisë së veprimeve që çojnë në tensione

news image

Kryeministri Albin Kurti sot ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.

Në komunikatën e KFOR-it për këtë takim thuhet se Barduani i ka thënë Kurtit se mbështet dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja si platformë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura.

“Komandanti i KFOR-it nënvizoi se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake. Ai përsëriti mbështetjen e plotë të KFOR-it për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, duke shtuar se kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, tha KFOR.

KFOR thotë se Barduani në takim me Kurtin vuri në dukje gjithashtu “angazhimin e tij të palëkundur” për të promovuar unitetin me të gjithë homologët e tij, “në mënyrë që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione”.

“Kjo është ajo që do të mbështesë të gjitha përpjekjet e mia dhe të gjitha aktivitetet e përditshme të KFOR-it, siç dëshmohet nga motoja e KFOR-it “UNITAS OMNIA VINCIT”, tha ai.

KFOR-i përsëriti se vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), “respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”.

/GazetaSinjali/