Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka pritur sot në takim shefen e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, në selinë e KFOR-it në Prishtinë, Film City.
Siç ka njoftuar KFOR në një postim, Barduani dhe Ziadeh diskutuan “pikëpamjet për tema të ndryshme, duke përfshirë sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën, situatën e stabilitetit rajonal dhe përpjekjet e KFOR-it në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
“Gjeneralmajor Barduani nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia etnike, gjinia, feja apo përkatësia politike”.
Vizita ishte pjesë e shkëmbimeve të rregullta të komandantit të KFOR-it me homologët e tij kryesorë në Kosovë, tha KFOR.
Misioni i NATO-s përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, “në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”
KFOR-i shtoi gjithashtu se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.