image Komandanti i FSK-së, gjeneral Jashari, takime të shumta me krerët ushtarak në Turqi

Siguri

Komandanti i FSK-së, gjeneral Jashari, takime të shumta me krerët ushtarak në Turqi

news image

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me ftesë të homologut turk, Gjeneral Jashar Guler, Komandant i Forcave të Armatosura të Turqisë, është duke realizuar vizitë zyrtare në Turqi.

Gjatë qëndrimit në Turqi, Gjeneral Jashari nën shoqërimin e Gjeneral Guler, u prit në takim zyrtar nga ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar.

Sipas njoftimit të FSK-së, në takim me ministrin Akar, komandanti Jashari diskutoi një sërë çështjesh duke filluar nga zhvillimet e sigurisë në Evropë, ato në rajon dhe sfidat në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Temë e veçantë diskutimi ishte mbështetja e Turqisë për Kosovën për pjesëmarrje në programin e Partneritetit për Paqe dhe drejt anëtarësimit në NATO. Veç tjerash me ministrin Akar, komandanti Jashari ka diskutuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ngushtë nga shteti dhe Ministria e Mbrojtjes së Turqisë drejt modernizimit të sistemeve dhe pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjeneral Jashari, u prit me nderime të larta edhe në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë prirë nga Gjenerali Guler.

Në takim në Shtabin e Përgjithshëm, u diskutua pjesëmarrja e FSK në ushtrimin fushor ndërkombëtar në Turqi EFES-2022 që ka përfunduar disa ditë më herët me një performancë të shkëlqyer të pjesëtarëve të FSK-së.

Gjeneral Jashari ka vizituar edhe Shtabin e Forcës Tokësore dhe Komandën e Forcave Speciale ku nga afër gjeneral Jashari u njoftua me zhvillimet dhe kapacitetet e këtyre njësive dhe me komandantët e komandave të cilët u dakorduan që të rritet numri i pjesëtarëve pjesëmarrës të FSK-së në trajnime dhe shkollime profesionale që ofrohen nga Komandat në fjalë.

Vizitën zyrtare gjeneral Jashari e ka vazhduar në qytetin e Stambollit, ku është prit me ceremoni nga kryetari i Komunës së Bajrampashës ku ka vizituar parkun “Adem Jashari” në këtë komunë.

/GazetaSinjali/