Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze që eskalojnë, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Ndër motivet më të shpeshta janë pakënaqësitë e shoferëve për shqiptimin e gjobave pas thyerjes së rregullave në trafik. Kështu ndodhi të dielën në Pejë, ku Policia e arrestoi një shofer në rrugën “Bill Klinton”, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari përfundoi në pranga pasi u fut në telashe me zyrtarët policorë, njërin prej të cilëve e kërcënoi seriozisht.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u prangos është Artan Gashi, rreth 39-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Gjithë rasti ndodhi pasi Policia e ndaloi për kontroll të dyshuarin, teksa po lëvizte me veturën e tij – ku rezultoi se s’kishte patentë shofer, pasi i ishte sekuestruar më herët. Për të mos mbaruar me kaq, shoferi i dyshuari nuk e kishte as automjetin të regjistruar, për çka Policia vendosi t’ia sekuestrojë edhe veturën.
Gjatë kontrollit të personit të dyshuar, zyrtarët policorë kanë gjetur edhe disa thika, mjete këto që janë sekuestruar po ashtu, me ç’rast situata aty eskaloi, shkruan Sinjali.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari ka nisur me kanosje, duke e paralajmëruar njërin nga policët se do t’i hakmerret, duke iu drejtuar me fjalë si “Ke me pasë probleme, kur të dal prej burgut kom me bo vrasje se jom mësu në burg unë, mbaje mend këtë fytyrë”.
Përballë kësaj situate, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku edhe aty ka vazhduar me kërcënime ndaj policit.
Policia e ka vënë situatën nën kontroll dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Ndaj tij, është urdhëruar inicimi i hetimit për veprën penale “Kanosje ndaj personit zyrtar”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.