image KOK dërgon ankesë në IOC dhe FIFA pas skandalit të Serbisë mbrëmë në Botëror

Futboll

KOK dërgon ankesë në IOC dhe FIFA pas skandalit të Serbisë mbrëmë në Botëror

news image

Komiteti Olimpik i Kosovës ka dërguar ankesë në IOC dhe FIFA për veprimin e ulët të Serbisë në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Komiteti Olimpik i Kosovës e ka pritur me shqetësim të madh veprimin e radhës që vjen nga Serbia, e cila edhe një herë përmes veprimeve të turpshme e përfshijnë politikën me sport.

Këtë herë, një gjest i tillë vjen jo vetëm nga tifozët, por nga Kombëtarja e Serbisë në futboll, dhe pikërisht në ngjarjen më të madhe të futbollit, Kupën e Botës 2022, që po zhvillohet në Katar.

Drejtuesit e Federatës Serbe lejuan që një flamur me ngjyra serbe dhe me hartën e Republikës së Kosovës, si dhe me mesazh urrrejtje “Nuk ka dorëzim”, të vendoset në zhveshtoret e Kombëtares së Serbisë, para dhe pas ndeshjes me Brazilit.

Është e turpshme se si udhëheqësit e Federatës së Futbollit të Serbisë lejuan të shfaqin mesazhe të tilla urrejtje ksenofobike dhe gjenocidale ndaj një shteti me të drejta të barabarta në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe FIFA e UEFA.

Komiteti Olimpik i Kosovës në koordinim të plotë me Federatën e Futbollit të Kosovës, ka dërguar sot ankesën në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, anëtare e së cilës është, por edhe në FIFA, anëtare e së cilës është FFK, në mënyrë që të dyja të marrin veprime të menjëhershme ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, konform kartës olimpike dhe rregullave të FIFA-s.

Sot, gjatë ditës, ankesë në FIFA ka bërë edhe FFK.

Besojmë se IOC dhe FIFA do të jenë të vëmendshme ndaj këtij veprimi dhe në Kupën e Botës Katar 2022 të mbretërojë vetëm fryma sportive dhe korrektësia.

/GazetaSinjaliSport/