image "Kodi civil që cenon familjen tradicionale...", Rrahmani thekson arsyet e largimit nga VV

Politikë

“Kodi civil që cenon familjen tradicionale…”, Rrahmani thekson arsyet e largimit nga VV

news image

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani, sot ka zyrtarizuar largimin e tij dhe të deputetit Visar Korenica nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një konferencë për media, Rrahmani ka treguar se pse kanë ardhur deri tek ky vendim, duke renditur edhe disa prej arsyeve kryesore të largimit të tyre.

Ai ka theksuar edhe një herë rëndësinë që sipas tij ka familja tradicionale, duke bërë të ditur se edhe kjo ka qenë një ndër arsyet e këtij vendimi.

“Projektkodi civil që me disa dispozita cenon familjen tradicionale, projektligji për shëndetin riproduktiv që legalizon fertilizimin me donim pa identitet të njohur që dërgon në incest e të mos flasim për cenimin e familjes. Lejimi i ndërrimit të gjinisë sipas ndjesisë në projektligjin për gjendjen civile madje edhe tek fëmijët si dhe shumë aktivitete në Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit na kanë obliguar që të bashkohemi dhe të mendojmë dhe të veprojmë rreth angazhimit politik për familje”, është shprehur Rrahmani.

Tutje, ai ka thënë se ikja e qytetarëve nga Kosova, paga e ulët minimale dhe nepotizmi, janë disa dukuri të tjera për të cilat Vetëvendosje nuk ka dhënë kontributin e duhur.

“Vazhdimi i ikjes së të rinjve, familjeve, puëntorëve profesionistë dhe kategorive tjera shoqërore është bërë barrë e madhe që po e rëndon Kosovën. Mosngritja e koeficientit të pagave në sektorin publik, paga e ulët minimale, vazhdimi i nepotizmit dhe shumë dukuri tjera gjatë kësaj periudhe që jemi munduar të japim kontributin tonë përmes amandamentimeve në komisione, asnjëherë nuk kanë gjetur nga subjekti politik por as nga grupi ynë parlamentar”, ka potencuar ish-deputeti i VV-së.

Rrhamani ka theksuar se problematikë tjetër, ka qenë mos përmirësimi në ekonomi, arsim e shëndetësi.

“Vazhdimi i moszhvillimit të përmirësimit në ekonomi, arsim e shëndetësi kanë qenë problemet kryesore që kanë vazhduar ta vështirësojnë jetën e qytetarëve. Për gjatë më shumë se tri viteve kemi arritur të ndalim shumë iniciativa që cenojnë familjen tradicionale në vendin tonë. Për këtë dua të falënderoj secilin deputet për qëndrueshmërinë e treguar dhe ruajtjen e kauzës së familjes. Përkundër tentativës se pushtetit për të krijuar narrativën se këto ligje janë kushte për integrime evropiane, këto nuk kanë qenë kushte asnjëherë për asnjë vend dhe nuk do të jenë as për Kosovën”, ka thënë ai.

Sipas Rrahmanit, të gjitha këto janë të papranueshme, andaj edhe kanë vendosur të largohen nga VV.

“Këto ligje kanë qenë të papranueshme për pothuajse të gjitha vendet e rajonit por edhe për një pjesë të madhe të shteteve evropiane që edhe sot nxjerrin ligje për ruajtjen e familjes dhe fëmijëve. Duke e parë këtë situatë nga sot unë dhe deputeti Visar Korenica nuk do të jemi pjesë e LVV pasi tashmë është caktuar data e zgjedhjeve dhe parimisht ka përfunduar mandati i deputetit”, është shprehur ai.

Mes tjerash, Rrahmani ka bërë të ditur se mbështetjen për mbrojtjen e kauzave të tyre e kanë  gjetur nga Partia e Drejtësisë dhe se më pas atyre iu është bashkuar edhe AKR-ja.

/GazetaSinjali/