image KMShK: Deklaratat e KPM-së presion ndaj lirisë së mediave

Politikë

KMShK: Deklaratat e KPM-së presion ndaj lirisë së mediave

news image

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), duke shprehur shqetësim për deklaratat e bëra nga nënkryetarja e këtij institucioni, Drita Morina.

Përmes një vendimmarrjeje urgjente të zhvilluar online, anëtarët e KMShK-së kanë dënuar ashpër paralajmërimin e Morinës për mbylljen e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, duke vlerësuar se një qëndrim i tillë nuk mbështetet në Kodin e Etikës të KPM-së.

“Si profesionistë të mediave gjykojmë se organet e pavarura duhet të kenë shumë kujdes gjatë trajtimit të ankesave të tipit SLAPP ndaj mediave, sidomos kur ato ushtrohen nga eksponentë të partive politike”, thuhet në deklaratën e KMSHK-së.

Këshilli ka kërkuar nga KPM-ja që të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të marrë vendime në përputhje me standardet e përcaktuara në Kodin e Etikës.

Po ashtu, KMShK-ja u ka bërë thirrje anëtarëve të KPM-së që të shmangin deklaratat e nxituara dhe të pambështetura lidhur me cilësinë e raportimit të mediave në Kosovë.

“Deklarata të tilla paralajmëruese dhe të pabazuara përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.”, thuhet në deklaratë.

Në përmbyllje, KMShK-ja ka ftuar anëtarët e tjerë të KPM-së që të distancohen publikisht nga nisma të tilla, duke vlerësuar se ato paraqesin rrezik serioz për lirinë e mediave në vend.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/