image KMDLNj: Vazhdon heshtja mortore e institucioneve të Kosovës për propozimin franko-gjerman

Politikë

KMDLNj: Vazhdon heshtja mortore e institucioneve të Kosovës për propozimin franko-gjerman

news image

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thonë se po vazhdon heshtja mortore e institucioneve të Kosovës për propozimin franko-gjerman.

Në komunikatën e KMLDNJ-së thuhet se vendimi i Qeverisë për ekzekutim të vendimit për targa në faza të ndryshme, është blerje kohe.

“Këtë nuk e beson askush, madje as propozuesit e lëre më ndërkombëtarët që u shprehën të zhgënjyer me këtë vendim. Edhe ky vendim i palogjikshëm, i pazbatueshëm dhe për blerje kohe është marrë shkaku i presionit ndërkombëtar. Nëse qeveria nuk pati guxim të zbatojë ligjin në atë pjesë të Kosovës e që dha zotime publike, 100 herë më mirë do të ishte të pranonte rekomandimet – kushtëzimet e ndërkombëtarëve sepse, të gjithë do ta përkrahnin duke e pasur të qartë se kjo shtyrje nuk bëhet me vullnet nga qeveria, por me imponim nga ndërkombëtarët. Kështu, kjo blerje kohe do t’i kushtojë qeverisë sepse po krijon precedent të rrezikshëm duke vepruar në kundërshtim me atë që e zoton publikisht dhe duke e shkelur ligjin dhe Kushtetutën, pasi po e zbaton dhe legalizon diskriminimin në baza etnike. Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë dhe në rastin konkret serbët rebelues janë mbi ligjin”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Ka kritikuar Qeverinë edhe për draftin franko-gjerman, lildhur me Marrëveshjen e mundshme finale.

“Në kohën kur Vuçiq e ka bërë publik këtë propozim, kryeministri Kurti e ka mohuar, kurse presidentja Osmani fillimisht e mohoi për të pranuar pastaj se ka një propozim. Deri më tani nuk ka asnjë informatë nga qeveria e Kosovës, as për formën e as për përmbajtjen e këtij propozimi, prandaj është krijuar hapësirë për manipulim dhe dezinformim. Qeveria e Kosovës ka demonstruar papërgjegjësi të skajshme duke mos u treguar aspak transparente, as për bisedime e as për marrëveshjen e propozuar kurse opozita është treguar e pavullnetshme dhe e pavendosur që me metoda parlamentare ta detyrojë kryeministrin Kurti të informojë qytetarët për bisedimet me Serbinë dhe Marrëveshjen e propozuar”, shkruan në reagimin e kësaj organizate.

KMDLNj thotë se për çështje madhore për vendin nuk mund të merren vendime pa opoziten dhe pa qytetarë.

/GazetaSinjali/