Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNJ ka kërkuar nga të gjitha palët që ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Përmes një komunikate për media, KMDLNj thotë se ishte dhe është kundër çdo fjalori që thërret apo nxitë dhunë sikur edhe kundër linçimit publik që thotë se po i bëhet sidomos gjykatësve të Gjykates Kushtetuese, transmeton Gazeta Sinjali.
“KMDLNj ftonë të gjithë liderët e partive politike të ushtrojnë autoritetin për qetësim të situates duke u distancuar nga çdo kërcënim apo veprim i dhunshëm. KMDLNj përkrah çdo protestë apo shprehje të pakënaqësisë që bëhet në përputhje me Ligjin dhe në mënyrë paqësore. Protestat e paralajmëruara nuk kanë asnjë efekt në vendimin e Gjykatës Kushtetuese përveç se do ta dëmtojnë subjektin politik që i organizon protestat në rast se ushtrohet dhunë gjatë protestave”, thuhet në komunikatë.
KMDLNj pret dhe kërkon që liderët politikë të Kosovës, në mënyrë të përgjegjshme të kontribuojnë që situata të mos përshkallëzojë dhe të bëhet dorëzim-pranimi i përgjegjësive institucionale në mënyrë të qetë ndryshe do të marrin tërë përgjegjësinë për pasojat e mundshme.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës mbrëmë mori vendim se Dekreti i Presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, pa partinë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 (VV) është në përputhje me Kushtetuten e Kosovës duke hapur rrugë për formimin e Qeverisë Hoti./Gazeta Sinjali/