Këshilli për Mbrojtje të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas licensimit të laboratorëve privatë nga Ministria e Shëndetësisë, duke thënë se testet serologjike SARS COV-2 duhet të paguhen nga shteti, e jo nga qytetarët.
“Krijimi i kushteve për testim në raste kur dyshohet për infektim me COVID-19, është përgjegjësi e shtetit, përjashtuar rastet kur të testuarit e bëjnë testin për qëllime turistike, të bërit biznes e që nuk kanë asnjë problem të natyrës financiare. Subvencionimi i shtetit prej 18 %, siç ka deklaruar ministri Zemaj, nëse bëhet në mënyrë lineare për KMDLNJ është e papranueshme, diskriminim flagrant, mosdashje për luftim të pandemisë dhe varfërim të popullatës”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
KMDLNJ-ja thotë se është e domosdoshme rritja e kapaciteteve për testim dhe kërkon një mbikëqyrje serioze nga organet kompetente.
“Është rritur kapaciteti për testim, sidomos me licensimin e laboratorëve privat e që KMDLNJ-ja, në mungesë të transparencës, nuk i ka të qarta kriteret në bazë të cilave është dhënë licensa. Rritjen e kapaciteteve për testim, KMDLNJ e sheh si të domosdoshme dhe pozitive për qytetarët e Kosovës, mirëpo kërkon një mbikëqyrje serioze, ndryshe ekziston rreziku real për një korrupsion pandemik. KMDLNJ-ja kundërshton çmimet e caktuara si të papërballueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës aq më parë që kemi thellim të krizës ekonomike me ç’rast një numër i madh varet nga asistenca sociale dhe nga pakoja emergjente”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Kësisoji, KMDNJ-ja ka propozuar që kategoritë sociale dhe ata që kanë mbetur pa punë të lirohen nga çdo pagesë, ndërsa ata që kanë të ardhura të rregullta, sipas tyre, duhet të participojnë jo më shumë se 30 për qind.
“KMDLNJ-ja propozon që kategoritë sociale, grupet e margjinalizuara, ata që kanë mbetur pa punë dhe të gjithë të tjerët që nuk kanë mundësi të paguajnë, duhet të lirohen nga çdo pagesë, kurse ata që kanë të ardhura të rregullta duhet të participojnë jo më shumë se 30 %”, thuhet në reagimin e tyre.
KMDLNJ-ja kërkon të krijohet një ekip monitorues që do të përcjellë punën e laboratorëve private.
“Edhe listat e atyre që u bëhet testi në institucionet publike për t’u eliminuar çdo diskriminim e që nuk është bërë deri më tani, aq më parë që kemi pasur diskriminim flagrant ku testet janë bërë prioritet në bazë të statusit në shoqëri e jo për shkak të nevojave për parandalim dhe luftim të pandemisë”, thuhet tutje në reagim.
Deri më tani janë 46 laboratorë privatë që u licencuan nga MSH-ja. /Gazeta Sinjali/