image KMDLNj: EULEX-i s'është qeveri as Borrelli, kryeministër merrni përgjegjësi

Politikë

KMDLNj: EULEX-i s’është qeveri as Borrelli, kryeministër merrni përgjegjësi

news image

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar për situatën në veri të vendit dhe shtyrjen e zgjedhjeve atje.

Në njofitmin e KMDLNj-së thuhet se opozita e Kosovës duhet ta dërgojë këtë rast në Gjykatën Kushtetuese sepse, sipas tyre, presidentja Osmani në mënyrë flagrante e ka shkelur Kushtetutën.

Ata janë shprehur se “EULEX-i nuk është qeveri, as Borrelli kryeministër”.

“Situata në Veri të Kosovës ka përshkallëzuar sipas një plani veprimi të Serbisë dhe ndërkombëtarëve ndërkaq që institucionet e Kosovë patën një reagim të qullët, shumë zhurmë dhe mungesë guximi për të vepruar. Presidentja e Kosovës i shpalli zgjedhjet ndonëse nuk kishte fare kushte pêr t’i mbajtur ato. Me rirebelimin e serbëve që tani është shndërruar në model shantazhimi në Veri dhe kërcënimin se do të përhapet edhe në pjesët e tjera të Kosovës, me kërkesën e vendeve të QUINT -it, me paralajmërimin e ardhjes së dvojkës amerikane, Chollet dhe Escobar, u krijuan të gjitha kushtet të ngrihet flamuri i bardhë, flamuri i dorëzimit para bandave kriminale serbe të veriut, të përkrahura nga Serbia dhe BE-ja”.

“Presidentja Osmani ftoi për konsultime subjektet politike, sa për të krijuar një alibi dalëse nga kjo situatë, shkaku se ka mungesë guximi për të vepruar dhe, pas kësaj, duke manipuluar me këtë takim konsultativ, i anuloi zgjedhjet që vet i ka shpallur, pa pajtimin e opozites dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetuten e Kosovës. Opozita e Kosovës duhet ta dërgojë këtë rast në Gjykatën Kushtetuese sepse presidentja Osmani në mënyrë flagrante e ka shkelur Kushtetuten. Kryeministri Kurti kërkon nga KFOR të sigurojë lirinë e lëvizjes sikur edhe nga EULEX që t’i largojë barrikadat thuaja se këta i kanë fituar 51 përqind të votave dhe se kanë ndonjë detyrim ndaj ligjeve dhe Kushtetutes së Kosovës. Ministri i baushtellës, ish-përkthyesi i KFOR-it norvegjez dhe rreshter i ushtrisë norvegjeze, tash si Ministër i Mbrojtjes së Kosovës, nga një distancë e sigurisë personale dhe familjare, lëshon kushtrim për luftë, i papërgjegjshëm siç është ndonëse askush nuk e pyet për asgjë dhe nuk vendosë për asgjë”, thuhet në reagim.

KMDLNj thotë se kryeministri Kurti duhet ta sqarojë opinionin pse nuk po e dërgon në veri, Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës.

“Kryeministri i Kosovës duhet ta sqarojë opinionin pse nuk po e dërgon në Veri Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës të cilën KFOR nuk e ka lejuar të shkojë në Veri të Kosovës duke e ndaluar në kufi prandaj ka dërguar policë për ruajtje të rendit dhe sigurisë, pa pajisje të nevojshme për menaxhim të përshkallëzimit të dhunës të bandave dhe njësive paramilitare në këtë pjesë të okupuar të Kosovës. Në këtë mënyrë i ka shndërruar në pëllumba prej argjilit, cak i lehtë për t’u goditur nga sulmues të thjeshtë e lëre më profesionistë që operojnë në veri. Moslejimi i dërgimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, a mos është zotim i palës kosovare pas nënshkrimit të Marrëveshjes për targa ilegale kohëve të fundit”, thuhet në njoftim.

SIpas KMDLNJ-së, opozita kosovare ka qenë jopenguese, edhe më shumë se që është kërkuar nga ajo duke mos e penguar qeverinë për asgjë. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e 51 përqind të votave të fituara sepse këtë përgjegjësi edhe e ka kërkuar. Është e pamoralshme dhe e padinjitetshme që mungesën e guximit për t’u përballur me problemet reale për të cilën e kanë përkrahjen e tërë shoqërisë, pa dallime partiake dhe të tjera ta adresojnë vetëm te e kaluara duke sulmuar persona që janë të burgosur e që nuk kanë ndikim dhe nuk paraqesin asnjë pengesë për marrje të vendimeve që kanë mbështetje ligjore dhe kushtetuese. Pikërisht e kaluara ua ka siguruar 51 përqind të votave por nuk iu siguron guximin për marrje të përgjegjësive sepse nuk duan të përballen me këtë përgjegjësi”, thuhet në reagim.

Tutje, në reagim thuhet se në veri të Kosovës nuk ka asnjë shkelje e të drejtave të njeriut nëse qeveria e zbaton ligjin për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa bërë asnjë dallim.

“Në veri të Kosovës nuk ka asnjë shkelje e të drejtave të njeriut nëse qeveria e zbaton ligjin për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa bërë asnjë dallim në baza etnike, politike, racore, fetare, moshore, kulturore e të tjera dhe KMDLNj-ë e thotë me përgjegjësi se nuk ka shkelje të kësaj natyre, përkundrazi, sikur edhe qeveritë tjera vayhdon t’ua paguaj rrymën, ujin, mbeturinat dhe shërbimet tjera duke dëmtuar në këtë mënyrë qytetarët e tjerë që në kushte të rënda ekonomike detyrohen, edhe me përmbarues t’i shlyejnë faturat. Asnjë shtet nuk lejon që me shantazh dhe barrikada, e që i shërbejnë Serbisë të fitojnë favore politike. E pse duhet ta lejojë këtë Kosova duke i bërë presion të paparë bashkësia ndërkombëtare”, thuhet tutje në reagimin e KMDLNj-së.

/GazetaSinjali/