Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) me një thirrje publike ka kërkuar që vendimi i Gjykatës Kushtetuese si autoriteti suprem për interpretim të Kushtetutës të mos kundërshtohet.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit Thaçi pati kundërshtime dhe pakënaqësi verbale por që nuk ndikuan në gjendjen e sigurisë. KMDLNj me një thirrje publike ka kërkuar që vendimi i Gjykatës si një akt i pakthyeshëm dhe vendim i autoritetit suprem për interpretim të Kushtetutës të mos kundërshtohet sikur që gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese duhet të kursehen nga kërcënimet, shantazhimet dhe linçimet publike e që, përjashtuar disa raste me të cilat po merret policia, gjendja nuk ka përshkallëzuar siç ishte paralajmërua”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Ky këshill thotë se ata që do të bëjnë veprime joparlamentare do të marrin përgjegjësi politike dhe do të kenë pasoja në zgjedhjet e ardhshme që sipas KMDLNj nuk do të jenë larg.
“Votoni sipas bindjes tuaj dhe respektoni edhe votën që është e kundërt me tuajën”, thuhet ndër të tjera në reagim.
KMDLNJ-ja pret që votimi për Qeverinë e re të Kosovës të bëhet në suazë të një demokracie parlamentare, duke respektuar çdo votë si shprehje e lirë e vullnetit të deputetit, pavarësisht nëse është pro apo kundër.
Kujtojmë që nesër do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë së re, në krye me Avdullah Hotin. /Gazeta Sinjali/.