Legjenda gjermane Miroslav Klose ka përgëzuar Lionel Messin pasi ylli argjentinas u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës.
Messi vendosi rekordin e ri në fitoren 2-0 të Argjentinës ndaj Austrisë, ku realizoi dy gola dhe e çoi totalin e tij në 18 gola në Botëror, duke lënë pas Klosen, i cili e kishte mbyllur karrierën me 16 gola.
“Gjithmonë kam thënë se Messi është i jashtëzakonshëm. Për mua, Leo është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Urime, kampion!”, deklaroi Klose.
Ish-sulmuesi gjerman kishte mbajtur rekordin që nga viti 2014, por më herët kishte pranuar se do të ishte i lumtur nëse ai do të thyhej nga Messi.
“Rekordet janë bërë për t’u thyer dhe Messi është më se i mirëpritur ta bëjë këtë. Kam qenë gjithmonë një admirues i tij”, kishte thënë Klose para nisjes së Botërorit 2026.
Messi shkruan histori në Dallas
Kapiteni i Argjentinës kishte barazuar rekordin e Kloses me 16 gola pas het-trikut ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse, ndërsa ndaj Austrisë kaloi i vetëm në krye.
Goli i parë i mbrëmjes erdhi në minutën e 38-të dhe ishte i 17-ti i tij në Kupat e Botës. Në sekondat e fundit të ndeshjes, Messi realizoi sërish për të vulosur fitoren dhe për të ngritur shifrën në 18 gola.
Ky sukses i siguroi edhe kualifikimin Argjentinës në fazën e eliminimit direkt, një ndeshje para përfundimit të grupit.
Rekord pas një penalltie të humbur
Mbrëmja historike nuk nisi në mënyrën më të mirë për tetë herë fituesin e Topit të Artë. Në minutën e nëntë ai humbi një penallti, por më pas reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Është e pabesueshme mënyra se si ndodhi gjithçka. Humba penalltinë, por ndoshta po ta shënoja nuk do të kisha arritur te dy golat e tjerë. Jam i lumtur për rezultatin dhe për punën e skuadrës”, tha Messi pas ndeshjes.
Argjentina synon mbrojtjen e titullit
Me gjashtë pikë nga dy ndeshje, Argjentina e drejtuar nga Lionel Scaloni ka siguruar kualifikimin në fazën tjetër dhe vazhdon rrugëtimin drejt mbrojtjes së titullit botëror.
“Jam shumë i lumtur për fitoren. Ishte një ndeshje e vështirë dhe shumë e luftuar. Na jep qetësi për atë që na pret më tej. Ky është Botërori dhe çdo ndeshje është intensive”, përfundoi Messi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!