Në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK nuk ka mjaftueshëm teste për koronavirus, prandaj po testohen vetëm personat me simptoma të theksuar të virusit.
Mjeku kujdestar në këtë klinikë, Besim Morina ka thënë për Gazetën Sinjali se numri i personave që kërkojnë të testohen për koronavirus është shumë më i lartë sesa numri i testeve që ata posedojnë.
“Kemi teste, por jo mjaftueshëm. Ne kemi volum të madh të pacientëve. Sot na ka kanë ardhur 35 teste, por kemi pasur shumë më shumë persona që kanë kërkuar të testohen për koronavirus. Ju kemi bërë teste vetëm atyre që kanë pasur simptoma pak më shumë”, ka thënë Morina për Gazetën Sinjali.
Ai ka theksuar se kanë kërkuar nga Instituti i Shëndetësisë Publike që të rritet furnizimi i testeve për koronavirus në këtë klinikë.
Sipas tij, ka pasur raste kur janë furnizuar me 60 teste, por përsëri nuk kanë qenë të mjaftueshme.
“Po kemi bërë kërkesë tek Instituti, ata nganjëherë na sjellin më shumë, ka ndodhur që na i kanë sjellë deri në 60 teste, por sot vetëm 35. Ka kërkesa, përveç pacientëve, ka kërkesa edhe prej familjarëve. Ne nuk përtojmë me i testu sepse është procedurë e shkurtër, por për shkak të mungesës së testeve nuk mundemi të gjithë me i testu ” ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/