image Klinaku i OVL-së pas sqarimit të Gërvallës: Nuk duhet luajtur roli i prokurorit

Drejtësi

Klinaku i OVL-së pas sqarimit të Gërvallës: Nuk duhet luajtur roli i prokurorit

news image

Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka reaguar pas intervistës së Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz për gazetën zvicerane Neue Zürcher Zeitung, e ku ndër të tjerash përmenden edhe vrasjet e pasluftës, shkruan Gazeta Sinjali.

Sekretari i OVL-së, Faton Klinaku, ka thënë për Sinjalin se OVL gjithmonë kanë qenë për zbulimin e vrasjeve të pasluftës, por sipas tij, t’i cilësosh ato vrasje si politike do të thotë se po luan rolin e prokurorit.

“Përveç zbulimit dhe dënimit të krimeve dhe masakrave të kryera nga pushtuesit serb gjatë luftës në Kosovë, me të cilat ndërkombëtarët dhe vendorët nuk janë marrë, ne si organizatë kemi qenë edhe për zbulimin e të gjitha vrasjeve të pas luftës”, ka thënë Klinaku.

“Pa marrë parasysh sqarimin e Gërvallës se citati për UÇK-në nuk ishte i saj, por i gazetarit zviceran, t’i cilësosh vrasjet si politike do të thotë se po luan rolin e prokurorit.”

Ai më tutje ka shtuar se nuk duhet harruar faktin se të vrarë pas luftës janë mbi 200 ushtarë të UÇK-së.

Ministrja Gërvalla, mbrëmë ka sqaruar deklaratën e saj duke thënë se është keqinterpretuar.

/GazetaSinjali/