Rastet kur po kryhen shërbime në biznese të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra e mijëra euro para që dyshohet të jenë të falsifikuara po vazhdojnë të vihen në qarkullim në tregun e Kosovës. Kartëmonedhat më të shpeshta që po raportohen si false janë 50shet dhe 100shet, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë u denoncua së fundmi nga shoferi i kompanisë së taksive ‘Shoferi im’ në Prishtinë, i cili njoftoi Policinë se ka pranuar nga një kliente një kartëmonedhë që dyshohet të jetë e falsifikuar.
Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e tij, klientja kishte kryer pagesën me 50she false, ndërsa kusurin rreth 45 euro e ka marrë origjinal, pasi e dërgoi në lokacionin ku kërkoi.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet hetimore që ndihmojnë në kapjen e të dyshuarit, teksa kartëmonedha është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Falsifikim i parasë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.