“Tjetër nivel” i premtimeve, mashtrimeve e mosofrimit të shërbimeve po konsiderohet nga një klient, kompania Artmotion, njëri nga operatorët kabllorë në Kosovë, që ndër të tjera ofron edhe shërbimet e internetit dhe televizionit kabllor. Megjithatë, kur është fjala që t’i ofrojnë këto shërbime, nga kjo kompani ‘kujdesen’ që të mos e kryejnë punën, ndonëse paguhen edhe me qindra euro në vit nga klientët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur së fundmi me një klient që ka marrëveshje me Artmotion, të cilit nuk po i ofrohen shërbimet për ditë të tëra, edhe pse i kanë premtuar në çdo thirrje se do të intervenojnë.
Sinjali merr vesh së që nga java e kaluar, kompania është vënë në dijeni për këtë rast, por nuk e kanë marrë mundin që ta dërgojnë ekipin teknik te klienti i tyre për të rregulluar problemin me internet.
“E mora për tjetër nivel, doli mashtrim e dështim ofrimi i shërbimit” – ka thënë klienti në fjalë për Sinjalin.
Edhe pse në kontratë është i paraparë afati kohor që kompania ta dërgojë ekipin në rastet kur klienti kërkon ndihmë si pasojë e problemeve që mund të shfaqen, Artmotion shfaqet në ‘tjetër nivel’ duke mos arritur që ta ofrojë shërbimin.
Sinjalizuesi që ka rrëfyer për Sinjalin këtë përvojë të keqe, ka bërë me dije se nga e java e kaluar i kanë thënë nga kompania që do të intervenojnë.
I njëjti sinjalizues ka dëshmuar për telefonatat e vazhdueshme që i ka bërë në numrat kontaktues të Artmotion dhe nuk i është gjendur zgjidhja e problemit – duke e lënë klientin qe 6 ditë pa internet.
Edhe pse krekosen në vazhdimësi për shërbimet që ofrojnë, siç duket, Artmotion po e dëshmon që nuk është në dispozicion të klientëve.
Kujtojmë se kjo kompani jo rrallëherë ka qenë kryetemë për raste të tilla.