image Klan Kosova: MINT nuk po e thotë të vërtetën, i kemi ndërruar dokumentet menjëherë

Kosovë

Klan Kosova: MINT nuk po e thotë të vërtetën, i kemi ndërruar dokumentet menjëherë

news image

Klan Kosova ka dalë me një reagim duke thënë se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk po e thotë të vërtetën pasi kjo shtëpi mediale ka ndërruar menjëherë dokumentet, në përputhshmëri me kërkesat e ministrisë.

Sipas mediumit, ata i kishin ndryshuar dokumentet, ashtu siç ishte kërkuar, dhe atë më datë 20 qershor.

Reagimi i plotë:

Duke marrë si shkas mënyrën e arsyetimit të Vendimit të kundërligjshëm të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, nga ana MINT e cila pretendon që Klan Kosova nuk ka bërë ndryshimet në dokumentet përkatëse, edhe njëherë detyrohemi që t’i ofrojmë opinionit sqarime shtesë, meqë të njëjtat nuk janë marrë parasysh nga ana e MINT gjatë shqyrtimit të Ankesës së Klan Kosova dhe për më tepër të njëjtit kanë bërë konstatim të gabuar të gjendjes faktitke.

Fillimisht, sqarojmë që Klan Kosova do ta ushtrojë të drejtën e saj ligjore për të kërkuar anulimin e Vendimit të kundërligjshëm dhe natyrisht do prezantojë të gjitha provat dhe shkeljet e njëpasnjëshme të MINT dhe ARBK. Mirëpo, përkundër këtij fakti, konsiderojmë se mashtrimi institucional nuk bën të kalojë dhe ne duhet të reagojmë ndaj çdo shtrembërimi të fakteve.

Konfirmojmë edhe njëherë, ashtu siç tregohet në dokumentin e bashkëngjitur, se dokumentet e ndryshuara mbajnë datën e 20 qershorit 2023 dhe të njëjtat janë dorëzuar në ARBK më datë 21 qershor 2023, kur edhe u mor vendimi për ta hequr pezullimin e certifikatës së Klan Kosova. Prandaj, ashtu siç është e njohur tashmë se në të njëjtën ditë u shkarkua drejtoresha e ARBK-së, u zëvendësua me një tjetër dhe sërish u pezullua jashtëligjshëm certifikata.

/GazetaSinjali/