image Kjo është shuma e parave që ka dërguar diaspora këtë vit

Diasporë

Kjo është shuma e parave që ka dërguar diaspora këtë vit

news image

Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka folur për ndikimin në ekonominë e Kosovës të remitencave, në kohë të pandemisë COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali

Mehmeti tha se në vitin 2020 pritet që të shënojë një rënie prej 7.2 për qind në terma real.

“Sipas parashikimeve tona si Bankë Qendrore ekonomia e Kosovës në vitit 2020 pritet që të shënojë një rënie prej 7.2 për qind në terma real e cila njëherit paraqet edhe goditjen më të rëndë që ka pësuar ekonomia e Kosovës në këto 20 vjet”.

Ai po ashtu u shpreh se ndikim të rëndësishëm në rënien e aktivitetit ekonomik në Kosovë kishin edhe masat kufizuese të lëvizjes nga shtetet e tjera.

“Ndikim të rëndësishëm në rënien e aktivitetit ekonomik në Kosovë kishin edhe masat kufizuese të lëvizjes nga shtetet e tjera të cilët reduktuan në masë të madhe vizitat e diasporës tonë në Kosovë, vizita këto të cilat paraqesin një burim mjaft të rëndësishëm financiar për ekonominë e vendit”, theksoi ai.

Tutje Mehmeti deklaroi se bazuar në të dhënat e regjistruara deri në muajin shtator 2020, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e cila janë nga diaspora ishin 470 milionë euro.

“Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në muajin shtator 2020, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e cila janë nga diaspora ishin 470 milionë euro e cila paraqet një rënie prej 60 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Pra në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi pasur diku mbi një miliard euro të hyra në emër të shpenzimeve jorezidente të cilat janë kryesisht nga diaspora’, tha Mehmeti.

“Një faktor që ka ndikuar në zbutjen e pasojave të krizës kanë qenë pikërisht remitencat  nga diaspora, të cilat edhe në këtë kohë shumë të vështirë për ekonominë botërore vazhduan rrjedhën e qëndrueshme drejt ekonomisë tonë. Vlera e remitencave të pranuara deri në tetor 2020 ishte 796.5 milionë euro”, përfundoi Mehmeti në RTV Dukagjini.

/Gazeta Sinjali/