Mëngjesi i sotëm nisi tragjikisht m një aksident me fatalitet në fshatin Novosellë të Pejës, ku humbi jetën një person dhe u lënduan tre të tjerë. Në mesin e tyre është edhe një zyrtare policore, e cila është lënduar rëndë dhe po dyshohet se e ka shkaktuar aksidentin. Tre të lënduarit janë dërguar në QKUK, ndërsa tashmë Sinjali ka mësuar detaje të reja.
Burimet nga QKUK kanë bërë me dije se policja e lënduar rëndë në këtë aksident është Hanife Lajqi, e cila sipas informacioneve të para do të hetohet për shkaktimin e këtij aksidenti me fatalitet.
Këto informacione pritet të konfirmohen pas përfundimit të ekzaminimeve të nevojshme në vendin e ngjarjes, ku tashmë kanë dalë edhe hetuesit e IPK-së.
Sinjalizuesit e Sinjalit bëjnë me dije se edhe viktima është një grua, rreth 50-vjeçare, vdekjen e së cilës e ka konfirmuar mjeku në vendin e ngjarjes.
Lajmin për Sinjalin e kanë konfirmuar edhe nga Policia dhe Prokuroria Themelore në Pejë.
“Në orën 07.45 në fshatin Novosellë të Pejës policia është njoftuar për një aksident trafiku, të përfshira kanë qenë dy vetura. Tre persona janë të lënduar, por më vonë janë bërë katër të lënduar. Një prej tyre ka vdekur, mjeku e ka konstatu vdekjen në vendin e ngjarjes. Tre personat janë dërgu në Emergjencë më pas në QKUK. Gjithashtu në vendin e ngjarjes ndodhet edhe IPK, pasi në aksident ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor”, tha për Sinjalin zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës Fadil Gashi.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.